E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva, Topi: Respektim të rregullave kushtetuese

Bamir Topi kërkon nga opozita që të respektohen rregullat demokratike të shtetit. Z. Topi shprehu dje qëndrimin e parë të tij për grevën e urisë që po zhvillohet para Kryeministrisë nga deputetë socialistë dhe qytetarë, në shenjë proteste për mostransparencën e zgjedhjeve. "Do të pozicionohem parimisht, si kryetar i shtetit, që do të respektoja gjithçka që respekton parimet demokratike. Ky është një term disi i përgjithshëm, po secili duhet ta gjejë veten këtu, te kjo shprehje. Pra, gjithçka që është demokratike, duhet të aspirohet po dhe duhet të aplikohet. Unë uroj që gjithçka të shkojë në normalitet, sipas këtyre rregullave demokratike që ne i kemi sanksionuar dhe me ligj", - theksoi Presidenti Bamir Topi. I pyetur nëse distancohet nga aktet e dhunës së dy ditëve më parë, Presidenti Topi u përgjigj: Mos bëni një pyetje, e cila natyrisht konsiderohet retorike dhe e ka përgjigjen! Pra, kur thashë që gjithçka brenda kontureve dhe parimeve demokratike, ju duhet të gjeni shpjegimin këtu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›