Topalli: Greva e urisë nuk pengon heqjen e vizave
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kritikon kreun e socialistëve, Edi Rama, pas vendimit për grevë urie. Sipas saj, ky qëndrim i Ramës tregon më së miri se ai nuk mbështet dialogun. Por kryeparlamentarja është shprehur e bindur se ky qëndrim i fundit i socialistëve nuk do të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave. Unë besoj se 22 vetë apo 220 vetë nuk mund ta prishin kurrë ëndrrën e liberalizimit të vizave. Ndaj, edhe një herë dëshiroj tu them ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, autoriteteve kryesore se shqiptarët janë të vendosur për të ecur përpara në proceset për liberalizimin e vizave dhe për këtë natyrisht është e rëndësishme që dialogu të bëhet në Parlament, - tha Topalli. Me këtë rast ajo falënderoi 12 ministrat e Jashtëm, të cilët më 30 prill u dërguan një letër autoriteteve më të larta që kanë në dorë vendimin për liberalizmin e vizave. Një mirënjohje e jashtëzakonshme, e pafundme për ministrin e Jashtëm të Italisë, për ministrin e Jashtëm të Sllovenisë, për të gjithë ministrat e tjerë të Jashtëm, të cilët u ulën dhe u shkruan një letër atyre që kanë në dorë vendimmarrjen për heqjen e vizave, të cilën mezi po e presin të gjithë shqiptarët, - deklaroi Topalli. Kryeparlamentarja dënoi dhe djegien e flamurit të NATO-s, por shprehu bindjen se ky veprim nuk ishte i shqiptarëve, por i militantëve të Ramës.