Greva me kauzën e kanibalizmit publik, djegia e shokut për para’
Pas një ndërprerje prej 8 vitesh, kompensimi financiar i viktimave të regjimit socialist vazhdon sipas grafikut të paracaktuar dhe miratuar nga ky Parlament, i pacenuar në asnjë rast nga vështirësitë buxhetore dhe ekonomike që kriza globale ka eksportuar pashmangshmërisht në Shqipëri. Sipas të dhënave që edhe unë kam, jemi vendi që paguajmë më shtrenjtë për ditë burgu të padrejtë, 18.9 Dollarë, në një kohë kur vende të tjera ish-socialiste vërtiten tek 9 Dollarë për ditë burgu. I vetmi vend që na afrohet në këtë statistike është një vend i Bashkimit Evropian, Sllovenia, e cila një ditë burgu socialist e vlerëson 17.5 Dollarë. Mirëpo pavarësisht këtyre fakteve elokuente, ne kemi prej 28 ditësh një çadër të ngritur në një rrugë të Tiranës, ku disa individë pretendojnë krejtësisht të kundërtën e që dhunshëm po hyjnë nëpër shtëpitë tona. Thënë kjo, nuk kam ndër mend ta fsheh që shqetësimi im, i cili i u bë shkak për këtë interpelancë, qëndron në nevojën për të hapur publikisht një proces reflektimi i cili, jam i bindur që privatisht po konsumohet në çdo mendje, ndërgjegje e familje shqiptari, madje me sa duket edhe në ato të miqve të çmuar, përfaqësues të vendeve mike në Tiranë. E gjithë historia mua më ngjan me një atentat drejtuar ndërgjegjes së çdo shqiptari, me provokim ekstrem, duke ngritur dilema mbi dimensionin human të shoqërisë sonë. A jemi apo s’jemi, te pandjeshëm, “kanibale” qoftë dhe me heshtjen tonë? A jemi apo s’jemi të gatshëm si shoqëri, të bëjmë gjithçka për PARA, deri dhe të djegim shokun me benzinë e çakmak: “live”, …..madje me regji? A jemi në një shoqëri që nuk e ndjejmë të nevojshme t’u themi me qytetari atyre mediave që na fyejnë duke i publikuar “ekskluzivisht” kanibalizmat përpara syve të prindërve tanë të nderuar e fëmijëve tanë si engjëj, të bindur se “shikueshmëria jonë rritet vetëm në këtë mënyrë, se në fakt këtë duam, këtë “shijojmë”? A jemi ne një shoqëri që kundrojmë me gjakftohtësi teksa na “vetëdjegin” bashkëshortin, babanë, vëllanë, mikun e po ashtu “in real time” të jemi në gjendje të bëjmë edhe analiza mbi pasojat politike të kanibalizmit që sapo “shijuam”? A e ndjejmë ne mungesën e shoqërisë CIVILE, në jetën tonë? ... Jo të asaj që ekziston në letra e që merr fonde bujare duke flirtuar me donatorët, qofshin këta qeveri, organizata, individë apo ambasada, por të asaj që realisht do të duhej të përfaqësonte ndërgjegjen, shqetësimin tonë, natën tonë pa gjumë, shkaktuar nga…. “vetëdjegësi”…. i shokut te vuajtjeve….? A na përfaqëson Ne një “shoqëri civile” e cila bën “kauze” ndërkombëtare një çështje shumë të rëndësishme si ajo e të drejtave të “lesbian and gay” duke zgjuar nga gjumi shoqërinë shqiptare dhe e vë në gjumin më të turpshëm me sedativë “kanibalesk” duke marrë në mbrojtje djegësin e shokut: “live”…me regji…për PARA? E ashtuquajtura “Grevë” ka edhe koordinatorët, administratorët, më sakte “tutorët” zyrtarë, seriozë sigurisht, me eksperiencë të gjatë pune të certifikuar me jo pak, por 7 vite burg për tregti të “mishit të bardhë”. Dhe ai që mishin e shet dhe e blen në një pusetë gjirizi të modifikuar si dhomë, nuk ka vështirësi që edhe ta djegë… çakmak dhe benzinë sjellin ata që mbështesin “kauzën”… Por cilën “kauzë”? A ka një “kauzë” të viktimave të komunizmit në Shqipëri? Përgjigja është pa as më të voglën mëdyshje “PO”! A është “kauza” e tyre paraja? Definitivisht “JO”. Kauza e tyre dhe sfida jonë si shoqëri është rehabilitimi i tyre si shtresë e viktimizuar pa faj, pa krim, për shkak të padrejtësisë së ngritur në sistem gjatë 46 viteve te “regjimit kanibalesk të padrejtësisë”. “Kauza” e tyre dhe e jona është ligji i lustracionit, të cilin Bamir Topi dhe Fehmi Abdiu në bashkëpunim pervers na e nxorën “antikushtetues”. Po si zgjidhet? “Epo jepu ca lek dreqi ta hajë, se vetëm atë duan….”- thotë pa u lodhur dhe në të gjitha format secili prej “tutorëve” jozyrtarë të këtij “kanibalizmi heroik”. Përgjigjen, me një mençuri të pashoqe e me një heshtje buçitëse po aq sa dhe përbuzëse këtyre horrave ua dhanë së pari shtresa e viktimave të socializmit. Kauza e tyre është edhe kauza jonë dhe kërkon zgjidhje, SOT! Sigurisht duke u dhënë së pari atyre dhe të gjithë shqiptarëve mundësinë që të mos e marrin si lëmoshë sot drejtësinë, prej të njëjtëve individë kanibale që për 46 vjet i vranë në pjesën dërrmuese të rasteve pa mbajtur as proces-verbal, që tentuan t’i zhburrërojnë nëpër biruca, nën dhunë fizike e psikologjike, që u përpoqën me çdo kusht që nga ai ferr kanibalësh te dalin të…. “riedukuar”, d.m.th, spiunë pa dinjitet, të gatshëm për të bërë çdo shërbim në këmbim të një mbijetese prej zvarraniku… A janë viktimat e komunizmit kaq “të pamoralshëm”, “elementë të degjeneruar”? A janë ata “armiq të popullit dhe te Atdheut, në shërbim të kujtdo që u ofron më shumë para”? Kjo është çështja… Ja ta analizojmë. Nuk mund të mohohet që në këtë kanibalizëm publik, gjithçka është e mirë-organizuar, e mirë-koordinuar, d.m.th siç thotë në të tilla raste një diplomat i huaj që unë e vlerësoj shumë: “E strukturuar dhe e mirë-orientuar në një objektiv me mbështetje të fortë financiare dhe mediatike”... Mirëpo lind pyetja: Kur e mirë-menduan, mirë-strukturuan, mirë-koordinuan, mirë-financuan e mirë-organizuan ….me regji…, a nuk e kishin të mundur të gjenin si koordinator një burrë a grua nga ata që kanë qëndruar si shkëmb në tallazet e jetës, që askush nuk mund t’u thotë “spiun sigurimi”, “përdhunues”, “bixhozxhi”, “pijanec”, “sharlatan” e ca më keq akoma “tutor” prostitutash të lira…? Pse kjo “dhuratë” Sali Berishës dhe të tijve? Logjikisht, kjo pyetje ka vetëm 2 përgjigje të mundshme: 1. Jo, është e pamundur, asnjë individ me të dhëna të forta integriteti moral dhe njerëzor, nuk do të pranonte të luante “kanibalin” në këtë dramë, sado inat ta kishte Sali Berishen. 2. Po, edhe mund të gjendej... por një i tillë u duhej, kërkohej “një tutor prostitutash” që t’i jepte zërin e tij, fytyrën e tij, moralin e tij “kauzës” së viktimave të socializmit. Këtu, “mobilizimi i çdo qelbësire” për të rrëzuar Berishën, merr tjetër dimension. Kthehet në mobilizim të çdo qelbësirë për të bërë të paqenë “kauzën” e tyre, për t’i dhënë asaj përmbajtjen e qelbësirës, fytyrën e qelbësirës, zërin e qelbësirës dhe të kanibalit që djeg shokun për PARA... sigurisht për t’i dhënë të gjithë shtresës vulën e kanibalizmit duke e privuar nga çdo element humanizmi! Po, a jemi ne një shoqëri “kanibalesh”? Jo! Por sigurisht që “kanibalë” duket se kemi jo pak, madje jemi vetë dëshmitarë të promovimit dhe ftesës publike, fatmirësisht të dëshpëruar, për ta konsideruar përkrahjen e “kanibalizmin publik” si një vlerë intelektuale të ndjeshmërisë së “njerëzve me shkollë”. Janë ata që “Rilindje” quajnë, citoj: “Grumbullimin dhe kontributin e çdo qelbësire”, përdorimin e çdo mjeti e mënyre për të rrezuar Sali Berishën. Sepse kjo është “kauza” e tyre! Natyrisht kanibalisht e justifikuar, me lirinë kushtetuese dhe fondamentale për të djegur publikisht shokun…për PARA dhe lirinë po aq kushtetuese por më shumë fondamentale për ta transmetuar “live”... kanibalizmin. Janë këta “kanibalë” që më shumë se kushdo tjetër dëshmojnë përbuzjen dhe neverinë për vetë aktorët e kësaj drame, kur në fund të faqes së gazetës a edicionit të lajmeve të hapur “gëzueshëm” me një njeri në flakë në mes të Tiranës, njoftojnë qytetarin që “nëse është i ndjeshëm të bëjë kujdes me ca foto të tjera në fund të së njëjtës faqe, pasi kanë përmbajtje të tmerrshme...” Dhe qytetar ziu, që tmerrin e ka parë tashmë pa paralajmërim, natyrshëm mendon: “Mor çfarë të ketë më të tmerrshme se një shqiptar që djeg shokun në mes të Tiranës?”…dhe klikon... Atje gjen foto të njerëzve të plagosur në urgjencën e një spitali në…. Siri… Kjo është kriminale! Është kriminale, është perverse…! Në ditën e 28-të të “grevës së urisë”, vërej më shumë kënaqësi që “heronjtë e heshtur” gëzojnë shëndet të plotë, kanë miq e solidaritet me bollëk..., deri edhe mbështetjen humane të “vëllezërve persekutorë”, të cilët u bënë shkas për PARET që sot ia kërkojnë Sali Berishës; “Të gjitha me një dorë”, madje që të shpërndahen jo nesër, as sot brenda orarit zyrtar se ku i dihet…çfarë s’bën Sali Berisha…. “por të shpërndahen menjëherë… dje”… Në këtë ditë të 28-të, s’mund të mos kujtoj Pjetër Arbnorin që 2 vjet rresht pas grevës së urisë që ndërmori në zyrën e Parlamentit në vitin ‘98, ishte ende një kufomë që ecte... Kush e takoi? Kush i dha mirëkuptim? Ku ishin atëherë “shokët” që sot bëjnë pelegrinazh të turpshëm tek çadra që çdo ditë e më tepër i ngjan asaj pusetës së tutorit? Kërkoi gjë PARE Pjetër Arbnori? Jo! Kërkoi çlirimin e fjalës së lirë, çlirimin e të vetmit zë publik, Televizionit Shqiptar, i cili lajmet i fillonte dhe i mbaronte duke mallkuar opozitën dhe citoj “kriminelin Sali Berishën”. Po ç’bëri qeveria ne atë kohë? A ndërmori ndonjë hap a vendim? Përgjigja është “PO”, por jo për Pjeter Arbnorin dhe bashkëvuajtësit e tij: Brenda vjeshtës së vitit ’97, u dha pafajësinë me vendim gjyqi të gjithë kanibalëve që dënuan pa faj dhe zhdukën me mijëra shqiptarë dhe në një kohë rekord i dëmshpërbleu me para ndër dorë si më poshtë vijon:
1. Lenka Çuko 5 milionë e 750 mijë dt. 13.05.2000
2. Arjanit Çela 7 milionë e 300 mijë dt. 03.03.1999
3. Ramiz Aliaj 6 milionë e 600 mijë dt. 12.05.1999
4. Rapi Mino 3 milionë e 550 mijë dt. 29.12.1999
5. Prokop Mura 9 milionë e 400 mijë dt. 02.06.1999
6. Simon Stefani 6 milionë e 200 mijë dt. 02.06.1999
7. Qirjako Mihali 5 milionë e 625 mijë dt.31.08.1999
8. Rita Marko 1 milionë e 790 mijë dt.24.01.2001
9. Zylyftar Ramizi 5 milionë e 290 mijë dt. 09.04.1999 (pafajësia në shtator 1997).
Të gjithë janë dëmshpërblyer në kohën kur Kryeministër ishte një eksponent i PS-së, i cili sot bën thirrje për humanizëm, shkon dhe i takon viktimat e Zylyftar Ramizit e Nexhmije Hoxhës dhe u jep mirëkuptim prej “piromani”. Atëherë çfarë mbetet të nderuar kolegë, të nderuar qytetarë? Si shoqëri kemi një borxh financiar e moral për t’u paguar mijëra shqiptarëve, por nuk kemi fajtorë, fajtorët janë të pafajshëm e të rimbursuar nga e njëjta parti që fëmijët e tyre i ka sot deputetë në Parlament e që sot jep leksione “humanizmi” duke dirigjuar “kanibalizmin publik” në mediat që kontrollon. Në një analizë finale, e gjitha është një: Montim “model 56”, manuali standard i veprimtarisë së Sigurimit të Shtetit: Merr individë të pisët, pa moral, me karakter të dobët, mundësisht të PËRZGJEDHUR për të qenë nën presion rrethanash fatkeqe, të cilat edhe nëse nuk ekzistojnë është detyrë e operativit të sigurimit t’i krijojë, nëpërmjet asaj që në praktiken dhe manualet e Sigurimit të Shtetit quhej “marrje në përpunim me material shtrëngues”… Qëllimi: Armiqësim i shtresës së viktimave me shqiptarët, përqasja e tyre me modelin e “ish-familjeve të dëshmorit”, të cilat veç atyre “palo privilegjeve” çdo 5 Maj merrnin me autorizim 5 kg mollë për të festuar…çfarë? Vdekjen e të dashurit të tyre… të tjerët…ngrohuni në diell… Produkti: “E mo, ky soj kanë qenë këta të burgjeve, ç’nuk bënin lart e poshtë, s’ka patur faj shoku Enver e shoku Zylyftar që i fuste brenda, e as shoku Fehmi që i varte në mes të qytetit… Ja e sheh ç’bëjnë? Para duan…” Të shkojë dikush t’u japë dorën, i çfarëdo niveli qoftë dhe ta mbyllim këtë punë…dëgjoj vazhdimisht propozim si një zgjidhje. A u duhet “dhënë dora”, qoftë edhe për njerëzillëk? A do të quhej kjo administratë në këtë rast “humane”, “e njerëzishme”? Përgjigja është 1 e vetme dhe e pandryshueshme: “Vendosmërisht JO!” Të shkosh atje dhe t’i takosh, do të thotë të vulosësh shtresën më fisnike të këtij populli me damkën e “kanibalit”, të “tutorit”, “përdhunuesit”, “falsifikatorit”, “bixhozçiut”, të zjarrvënësit të shokut për PARA, do të thotë, më keq se t’i vrasësh edhe një herë nga e para….t’i mbulosh përjetësisht me turp. Do të thotë t’u thuash shqiptarëve, botës, që shokët e Havzi Nelës nuk kanë më asnjë mëri me Fehmi Abdiun, jo! Kërkojnë thjesht pare! Që bashkëvuajtësit e Patër Meshkallës, Hafiz Korçës, …. e mijëra të tjerëve të mbetur pa varr, nuk kërkojnë më eshtrat, dinjitetin e një varri, nderimin e së drejtës së tyre duke spastruar sistemin e drejtësisë nga kanibalët që i vranë, JO! Pare, kërkojnë! Parë në këmbim të eshtrave pa varr. Sa kushtojnë “një palë eshtra”, me se matet çmimi i tyre me “palë” apo me kile? Kriminale, apo jo! Nga të përndjekurit e diktaturës komuniste, nuk do ta merrni kurrë këtë përgjigje. Ata nuk e kanë këtë “kut”. Tek çadra e tutorëve dhe përdhunuesve që keni nxjerrë në rrugë, po, atje sigurisht që do e gjeni një çmim, bëni edhe Pazar të mirë…nëse ende nuk e keni bërë… Ju faleminderit!
*Fjala e deputetit të Partisë Demokratike Gent Strazimiri në Kuvend gjatë interpelancës me ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimi
...