PD thirrje familjarëve të përndjekurve politik: Mos lejoni njerëzit tuaj të përdoren politikisht. Rama aleancë me të inkriminuarit
Partia Demokratike ka reaguar sërish sot për grevën e ish-të përndjekurve politikë, prej së cilës u zbulua edhe një dëshmi tjetër tronditëse nga aleanca e Ramës me trafikantin Skënder Tufa. Në një deklaratë për mediat zëdhënësja e selisë blu Silvi Bardhi deklaroi se Prokuroria e Shtetit arrestoi mbrëmë koordinatorin tjetër të Edi Ramës për grevën e tij private të paligjshme Asllan Patrioti, pasi ishte i filmuar si gjobëvënës, mashtrues e rryshfetxhi. “Partia Demokratike denoncon para opinionit publik Edi Ramën dhe aleancën e tij publike me trafikantë dhe kriminelë ordinerë si një fyerje dhe poshtërim për forcën e tij politike dhe mbështetësit e saj të ndershëm kudo në Shqipëri.
Me këto veprime z. Edi Rama, dëshmon para socialistëve të thjeshtë por edhe qytetarëve shqiptarë në tërësi, se Rilindja e tij nuk është gjë tjetër veçse Rilindja e bllokut dhe falangave të krimit të organizuar"- deklaroi Bardhi e cila shtoi se Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe vendosjen nga z. Rama në krye të grevës së paligjshme të organizuar prej tij, persona ordinerë të inkriminuar me qëllimin më djallëzor dhe të ligë, personifikimin me ta të martirëve të gjallë të kalvarit të etërve hoxhistë të Edi Ramës.
“Partia Demokratike u bën thirrje familjarëve dhe të afërmve të grevistëve, të mos pranojnë që njerëzit e tyre të shfrytëzohen dhe keqpërdoren në funksion të karrierës politike të një njeriu që urren të përndjekurit politikë, martirët e gjallë të lirisë, njësoj si i ati i tij që firmoste në vitin ‘89 varjen e disidentëve të regjimit hoxhist”.
Ajo u bëri thirrje familjarëve të grevistëve që të mos keqpërdoren nga Edi Rama pasi Partia Socialiste me të ardhur në pushtet përzuri si armiq klase nga institucionet shtetërore dhe publike mbi 4 mijë e 200 të përndjekur politikë dhe familjarë të tyre dhe i zëvendësoi ata me enveristë, gardianë e persekutorë të tyre.
Partia Demokratike, vijoi Bardhi mbetet e palëkundur në vendosmërinë e saj për dëmshpërblimin në përputhje me ligjin në fuqi të të përndjekurve politikë, për të cilën ka vendosur normën më të lartë të dëmshpërblimit se çdo vend tjetër në Evropë dhe është plotësisht e bindur se ka marrë një vendim të drejtë dhe plotësisht të merituar.