Parlamenti Evropian rezolutë “pro” rekomandimit të Komisionit: Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat në BE

Chountis: Politika shqiptare të vijojë miratimin e reformave
Parlamenti Evropian ka konfirmuar mesazhin që Evropa ka ndaj Shqipërisë dhe që u pasqyrua edhe në progres - raportin e Komisionit Evropian. Në rezolutën për Shqipërinë të hartuar nga raportuesi Nikolaos Kauntis kërkohet që të miratohen tre reformat e mbetura në marrjen e statusit të kandidatit. Klasa politike shqiptare duhet të ruajë dialogun politik dhe të vijojë me reformat. “PE mbështet fort dialogun konstruktiv politik, që nuk është vetëm element thelbësor i 12 prioriteteve kyçe, por një parakusht për funksionimin e demokracisë; i bën thirrje elitës politike të ruajë dialogun ndërpartiak dhe konsensusin për reforma në mënyrë që t’i mundësojë vendit të shënojë progres në rrugën e integrimit. PE u bën thirrje forcave politike të përmbushin reformën e mbetur mbi Rregulloren e Parlamentit, të përforcojnë më shumë rolin mbikëqyrës të Kuvendit, të përmirësojnë përgatitjen e ligjeve dhe të përforcojnë konsultimet me shoqërinë civile, sindikatat dhe organizatat e ndryshme shoqërore”- thuhet në rezolutën e miratuar sot nga Parlamenti Evropian.
Raportuesi për Shqipërinë në PE, Nicolaos Chountis
Shqipëria e meriton statusin – zgjedhjet e 2013-ës test politik
Në një intervistë për mediat, eurodeputeti Nikolaos Kountis është shprehur se Shqipëria e meriton dhe do ta marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të këtij viti. Eurodeputeti e ka cilësuar këtë dhe si një dhuratë në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së vendit.
Në projektrezolutën tuaj, ju konsideroni se Shqipërisë i duhet akorduar statusi i kandidatit,sapo të përmbushen edhe tre kushtet e mbetura. Por këtë radhë shohim si asnjë herë tjetër se të gjitha grupet politike mbështesin statusin e kandidatit për Shqipërinë, apo jo ?
Është një sinjal shumë pozitiv. Përveç ekuilibrit politik në Shqipëri, duhet parë gjithashtu ekuilibri politik i grupimeve politike në Parlamentin Evropian. Siç e dëgjuat, të gjitha grupimet politike mbështesin projektrezolutën time, ku thuhet se po, Shqipëria duhet të marrë statusin e kandidatit këtë vit. Është një sinjal pozitiv gjithashtu për të nxitur forcat politike në Shqipëri që të kryejnë reformat e nevojshme. Siç mund ta lexoni qartë edhe në raportin tim, kjo bëhet në përfitim të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Kjo është çështja kryesore, pasi ka të bëjë me të ardhmen e vendit dhe me standardet e ardhshme të jetesës së qytetarëve shqiptarë.
Pse keni zgjedhur aprovimin e këtij raporti në javën e parë të dhjetorit në seancë plenare. A synoni t’i përçoni kështu një sinjal tê qartë shteteve anëtare?
Po, kjo është njëra nga arsyet. Arsyeja tjetër, është se ne duam gjithashtu të nderojmë 100 vjetorin e Shqipërisë. 100 vjetori është një datë simbolike dhe historike e rëndësishme për vendin. Dëshirojmë që në këtë vit të rëndësishëm dhe simbolik për ju, t’ju përçojmë qytetarëve shqiptarë një mesazh pozitiv nga Evropa, që të shpërblejë punën që keni bërë dhe nxisë forcat politike për të vazhduar me reformat e rëndësishme. Ndaj, unë dhe komisioni i punëve të jashtëm të Parlamentit Evropian duam që vendimi në seancë plenare në Parlament dhe vendimi nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të merret në dhjetor të këtij vitit.
Ju keni dëgjuar se eurodeputetë të ndryshëm kanë insistuar që zgjedhjet e ardhshme të kryhen sipas standardeve ndërkombëtare dhe të mos ketë kontestime të tyre. A do jetë ky një kusht për hapjen e negociatave?
Nuk e di. Zgjedhjet e ardhshme nuk duhet të shfaqin asnjë problem. Të zhvillohen sipas standardeve ndërkombëtare demokratike. Qytetarët shqiptarë do të votojnë për forcën që dëshirojnë. Por, ato do të jenë patjetër një test për pjekurinë politike të vendit.