E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grevë në demokraci

Deri kur të kemi gazetarë, politikanë që mendojnë dhe shprehen se greva e deputetëve të opozitës me 200 simpatizantë të tyre, “pengon trafikun në Tiranë”, do të thotë që kemi akoma shumë probleme në demokraci dhe civilizim ne shqiptarët e 2010. Nëse ideali i opozitës nuk përkon me idealin e të tjerëve, kjo nuk është një e keqe që duhet sulmuar, përkundrazi, duhet inkurajuar. Pse biem shpesh në kurthin psikologjik që na ngriti diktatura e Enver Hoxhës: të mos durojmë, të shtypim, të denigrojmë mendimin ndryshe? Hapja e kutive, apo transparenca që kërkohet me shqyrtimin e dokumentacionit që i shoqëron, është një obligim primar, që duhet të ishte zgjidhur. Socialistët thanë se i konsumuan të gjitha metodat derisa arritën në vendimin ekstrem të grevës së urisë dhe ky vendim kërkon respektin e të gjithëve. Në të vërtetë, Partia Socialiste u kthye në Kuvend, por mazhoranca nuk ofroi atë që pritej: Transparencën. Greva në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duhet respektuar. Pikësëpari për kërkesën elementare të transparencës. Lideri i PS insiton të thotë që kjo është një e mirë e të gjithëve dhe do të shërbejë për të vënë një gur të shëndetshëm për ndershmërinë dhe barazinë e zgjedhjeve të ardhshme. Kjo mbetet për t’u verifikuar, sidomos pas zhgënjimeve të vazhdueshme që shqiptarëve iu bëhet nga politika. Kjo grevë duhet respektuar edhe pse aty ka nëna dhe vajza, të cilat në vend që të dëgjoheshin, nga pala kundërshtare, në formën më të shëmtuar dhe më të vjetër të të bërit politikë në Shqipëri, u sulmuan. Këto sulme që i njohim, i kemi parë shpesh, sidomos mbrëmjeve në televizione pranë qeverisë, edhe në Kuvend, por edhe këtë herë u bien në fytyrë atyre që i prodhojnë në mënyrën më të shpifur. Një “merobaze” ra pranë kryeminsitrit Sali Berisha, por qindra “merobaze” të tjerë të panevojshëm janë të gatshëm të ngrihen për të sulmuar në mënyrën që shpresuam të lihej mënjanë, e që vetë “merobaze” u pa që e braktisi. Duhet të mësohemi që antipatinë që na ngjall kundërshtari apo simpatizanti i një krahu tjetër, ta shndërrojmë në argument të fortë për ta kontestuar dhe jo për ta shtypur. Kutitë e mbyllura ja lemë diktaturave, transparenca është një kauzë që na ndihmon të gjithë. Dhe Shqipëria meriton dhe ka demokracinë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›