Grevistja: Jetoj këtu prej 38 vjetësh, dal që këtej e vdekur
Konflikti për pronën
Protestës i bashkohen 3 persona të rrugës Xhezmi Delli. Duhet të lirojnë shtëpitë më 10 maj
Shpresa Mezini
Vijon greva e urisë që nisi si pasojë e konfliktit për truallin e njërit prej pallateve ekzistuese në rrugën Margarita Tutulani, pranë shkollës Petro Nini Luarasi. Në ditën e tetë të grevës, kur gjendja shëndetësore e grevistëve, por sidomos e tre prej tyre është e rënduar, situata mbetet e njëjtë.
Ata këmbëngulin se nga greva do të dalin ose me një zgjidhje nga shteti ose të vdekur.
Mirela Ali, një prej kryefamiljareve të larguara me forcë nga banesa e saj, është dërguar me urgjencë në spital, tri ditë më parë, për shkak të tensionit të ulët që i ka shkaktuar marrje mendsh dhe shqetësime të tjera shëndetësore. Por, pavarësisht kësaj, ajo është e vendosur të mos ndalet. Edhe pse mjekët e këshilluan të heqë dorë nga greva, për shkak se vuan nga diabeti, ajo mjekohet dhe kthehet e palëkundur në grevë. Vjehrra dhe vjehrri im kanë jetuar në këtë pallat prej 72 vjetësh, ndërsa unë jetoj këtu prej 38 vjetësh me bashkëshortin dhe fëmijët. Kam dy fëmijë, një vajzë 25 vjeç, e cila është në grevë urie bashkë me mua dhe një djalë 22 vjeç.
Të dy janë studentë, nuk punojnë. Unë kam punuar dikur në kuzhinë, por prej vitesh nuk punoj më. Edhe bashkëshorti nuk punon prej një kohe të gjatë. Pa të ardhura financiare, në kushte jashtë mase të vështira ekonomike, na lanë edhe pa shtëpi.
Kjo është shtëpia jonë. Si mundet të nxjerrin me forcë disa hallexhinj, që nuk kanë fuqinë dhe paranë të mbrojnë të drejtën e tyre? Me çtë drejtë guxojnë të thyejnë dhe të shkatërrojnë gjithçka kemi blerë dhe investuar me djersë në shtëpi. Ajo shtëpi është jeta jonë, rrëfen grevistja.
Teksa flet për jetën e saj të dhimbshme, mes sakrificash dhe vuajtjesh për të jetuar apo për të blerë gjithçka ndodhej brenda saj, ajo shpërthen në lot.
Na kërcënuan me jetë, si neve edhe fëmijët, por sikur të mos mjaftonte thyen çdo mobilie, divan, çdo gjë që ndodhej brenda shtëpisë. Të njëjtën situatë përjetuan edhe familjet e tjera banuese prej shumë vitesh në këtë pallat, por ata janë pleq dhe u tërhoqën nga greva për arsye shëndetësore. E nisëm grevën me vetëdije, sepse shteti duhet të marrë përgjegjësi për ngjarjen e ndodhur. Nuk e kemi ditur kurrë më parë që ky pallat paska pasur pronar. Tani na del një zotëri që quhet Ferdinand Ceka që pretendon se është pronari. 7 familje, ku bën pjesë edhe e imja, jemi në proces gjyqësor. Deri më tani janë zhvilluar dy seancat parapërgatitore, të cilat ishin në favorin tonë, ndërsa presim të na thërrasin brenda këtij muaji për një tjetër seancë, tregon Mirela, greviste, për shkak të konfliktit për pronën. Ajo thotë se lajmërimin e parë për të zbrazur shtëpinë e kanë marrë që më datë 3 tetor të vitit 2012 nga dy shoqëri përmbarimore private, të cilat aktualisht kanë hequr dorë nga kjo çështje.
Mirëpo grevës së urisë, që nisi 8 ditë më parë në oborrin e pallatit ku u dëbuan me forcë familjet që banonin në të, 2 ditë më pas iu bashkuan edhe persona të tjerë. Ata janë pjesëtarë të familjeve, që jetojnë në një pallat në rrugën Xhezmi Delli, mbrapa ambasadës greke. Familjarët hynë në grevë, sepse morrën të njëjtin njoftim nga një shoqëri private përmbarimi, e cila u ka bërë thirrje që më datë 10 maj të largohen nga banesat, për të njëjtën arsye. Edhe këtij pallati i ka dalë pronari, që kërkon të gëzojë pasurinë që i takon. Nuk dimë çfarë po ndodh në këtë vend. Shteti sdo tia dijë që qytetarët e tij po enden rrugëve, pa një çati për të futur kokën, sepse disa persona me pushtet shfaqen kur ti teket, nxjerrin njerëz nga shtëpitë e tyre, mjaft të thonë se janë pronarët e tokës, ndërsa askush nuk mban përgjegjësi. Ne jemi banues të rrugës Xhezmi Delli në kryeqytet, por ndajmë të njëjtin hall si banorët e pallatit të pozicionuar në rrugën Margarita Tutulani, ku ne kemi hyrë në grevë prej 6 ditësh. Ishim mirë e bukur, në qetësinë tonë, kemi punuar gjithë jetën, skemi bezdisur askënd. Dhe të vijë një ditë e bukur dhe të dalin në dritë dy persona fare të panjohur për ne, që thonë se janë trashëgimtarët e Abedin Nepravishta, pronari i ligjshëm i tokës, është plotësisht absurde dhe e papranueshme. Nuk do të ndalemi për të mbrojtur shtëpitë tonë, përndryshe do të vdesim këtu, thotë e revoltuar, njëkohësisht e pafuqishme një tjetër greviste.
Grevistja: Jetoj këtu prej 38 vjetësh, dal që këtej e vdekur burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email