E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrave, konfirmohet viktima e 11-të

08/01/2010  Refuzohet vaksina mbrojtëse
Shtohet bilanci i viktimave të shkaktuara nga gripi i derrave. Gjatë ditës së djeshme është konfirmuar viktima e 11-të. Bëhet fjalë për një grua 54-vjeçare nga qyteti i Korçës, e cila ka ndërruar jetë në orët e vona të natës në sanatoriumin e qytetit pas komplikacioneve të rënda në mushkëri. Mjekët thonë se që me shtrimin e saj pacientja u dyshua se ishte prekur nga virusi, ndaj është trajtuar krahas medikamenteve të tjera edhe me tamiflu. Pacientja ishte shtruar tri ditë më parë në repartin e sanatoriumit. Mjekët thonë se pacientja vuante edhe nga sëmundje të tjera kronika, por gjendja e saj shëndetësore është rënduar pak ditë më parë për shkak të një pneumonie. Ndonëse virusi po shfaqet gjithnjë e më shumë agresiv tek të sëmurët kronikë, këta të fundit nuk janë paraqitur për marrjen e vaksinës. Poliklinikat dhe urgjencat mjekësore në vend vijojnë të mbajnë në gjendje stoku vaksinat e sjella, duke qenë se grupet e përcaktuara nuk pranojnë ta marrin. Shkak për refuzimin e vaksinës bëhet frika nga infeksionet anësore që mund të shkaktojë ajo në organizëm. Me përjashtim të personelit shëndetësor, i cili është detyruar që në fazat e para të sigurimit të vaksinës për marrjen e saj, grupet e tjera, si të sëmurët kronikë (veçanërisht të moshuarit), gratë shtatzëna, nuk pranojnë të marrin këtë vaksinë. Vetëm tetë për qind e dozave të siguruara të vaksinës janë përdorur.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›