Tre gra denoncojnë dhunën e bashkëshortit
08/01/2010 Ditën e djeshme. Kishin shenja të dukshme në trup, frikë dhe për fëmijët
U bëhet me dije burrave se gratë dhe fëmijët janë nën mbrojtjen e shtetit
DURRES- Tri femra së bashku me fëmijët e tyre për dore kanë trokitur njëra pas tjetrës në derën e policisë së Durrësit për të denoncuar bashkëshortët dhe prindërit për shkak të keqtrajtimit fizik e psikologjik. Gratë janë të moshës 32 vjeçe deri në 42 vjeçe, ndërsa kanë treguar për agjentët e policisë dhunën sistematike të ushtruar nga burra e shtëpisë. Anila K. 32 vjeçe e lindur dhe banuese në lagjen 15, nënë e dy fëmijëve mësohet se ka pasur shenja të dukshme dhune fizike në trup në kohën që ka bërë kallëzimin penal. Ajo ka dëshmuar se ka pesë vite nën presion psikologjik dhe ndëshkim fizik nga i shoqi për motive vetëm xhelozie. E dëmtuara ka marrë në polici edhe dy fëmijët duke thënë se nuk kishte më besim të linte fëmijët në shtëpi ngase bashkëshorti është treguar agresiv edhe me ta duke rrahur sistematikisht të vegjlit e familjes. Po dje në polici, pak pasi 32-vjeçarja ka plotësuar formularët e kallëzimit penal ndaj burrit Jahir K. 38 vjeç, një tjetër femër ka bërë të njëjtin veprim. Dhurata C., 38 vjeçe, nga lagjja numër 12 e qytetit, nënë e katër fëmijëve ka vendosur t’u japë fund vuajtjeve fizike e psikologjike duke kërkuar nga policia të detyrojnë bashkëshortin e saj të ndërpresë dhunën. Edhe Donika B. 35 vjeçe nënë e dy fëmijëve ka kërkuar mbrojtjen nga policia, pasi bashkëshorti Idriz B. nga Librazhdi me banim në Shkozet e ka ndëshkuar fizikisht. Veprimet e dhunshme dhe presionet psikologjike në të tre rastet janë bërë në prani të fëmijëve. Kjo ka ndikuar në gjendjen psikologjike dhe në atë emocionale. Pas kallëzimeve penale punonjësit e policisë së zonave përkatëse kanë shoqëruar në mjediset e policisë bashkëshortët e dhunshëm, të cilët janë njohur me nisjen e procedurave penale ndaj tyre. Nga ana tjetër policia u ka bërë me dije burrave se gratë dhe fëmijët e tyre janë marrë nën mbrojtje nga shteti dhe se asnjëri prej tyre nuk do të guxonte të ushtronte asnjë lloj presioni ndaj bashkëshorteve. Tetë fëmijë kanë mbetur tashmë në duart e nënave të tyre që do të duhet të jenë edhe kujdestare për rritjen e shkollimin e të vegjëlve. Burime zyrtare të policisë së Durrësit bëjnë të ditur se në dy vitet e fundit janë shtuar rastet e kallëzimeve penale ndaj burrave që kërcënojnë, rrahin apo keqtrajtojnë në forma të ndryshme gratë. Rasti në fjalë është shfaqur edhe në dyert e gjykatës ngase çdo ditë të javës togat e zeza detyrohen të shqyrtojnë prishjen e kurorës mes çifteve.