E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkon në 50% të vlerës së objektit pagesa me bono

08/01/2010  Qeveria ndryshon masën e legalizimeve me letra me vlerë
Qeveria ka vendosur të reduktojë masën e përdorimit të letrave me vlerë në procesin e legalizimeve të ndërtimeve pa leje. Në projektligjin e miratuar në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave thuhet se çdo pronar i ndërtimit pa leje mund të paguajë me bono privatizimi deri në 50 për qind të vlerës së parcelës ndërtimore jashtë vijave të verdha. Në ligjin ekzistues thuhej se pronari i një ndërtimi pa leje mund të paguante me letra me vlerë në masën 80 për qind të vlerës së parcelës ndërtimore. Gjithashtu në projektligjin e mbështetur nga trupa ministrore theksohet se “çdo pronar i ndërtimit pa leje mund të paguajë me bono privatizimi deri në 50 për qind të vlerës së parcelës ndërtimore të vendbanimeve/ndërtimeve informale brenda vijave të verdha”. Përmes vendimit të marrë dje qeveria ka ulur me 30 për qind masën e përdorimit të letrave me vlerë në procesin e legalizimit të objekteve të ndërtuara pa lejet përkatëse. Projektligji është miratuar pasi së shpejti do të nisë procesi i rimarrjes së bonove të privatizimit nga ana e qytetarëve që depozituan në fondet e investimeve para rreth 15 vjetësh. Ligji, i cili shfuqizon atë të vitit 1995 “Për fondet e investimit”, është botuar në Fletoren Zyrtare dhe sipas procedurës hun në fuqi pas 15 ditësh. Investitorët individë zakonisht janë të prirur drejt investimeve afatshkurtra, ndërkohë që investitorët institucionalë janë të prirur të jenë pjesë e strategjive të investimeve afatgjata, në tregun e titujve, pra në bursë, duke ndihmuar kështu në krijimin e tregut të qëndrueshëm. Tregu i kapitalit në vend është i paorientuar. Pak muaj më parë qeveria ka vendosur riaktivizimin e letrave me vlerë, të cilat më së shumti pritet të përdoren në procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje. Pas miratimit të vendimit për riaktivizimin e letrave me vlerë kryeministri Sali Berisha theksoi se me to do t’u jepet mundësia pronarëve të ndërtimeve pa leje t’i legalizojnë ato.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›