Gripi i derrave, një pacient në gjendje të rëndë në Sanatorium
TIRANE (UPDATE) - Gripi i derrave është shfaqur me shenjat e tij më të egra tek një 45 vjeçar nga Durrësi i cili është në Sanatorium. Pacienti është shtruar me urgjencë në javës kësaj jave në Spitalin e Mushkërive. Ai vuante nga sëmundje kronike ndërsa është prekur edhe nga virusi A, tashmë i konfirmuar në Institutin e Shëndetit Publik. Ndërkohë mjekët dyshojnë se pacienti ka nëntipin H1N1, nisur nga simptomat që ka shfaqur.
Shefi i Reanimacionit në Sanatorium, Alban Hatibi thotë se "në fillim u evidentua si insuficensë multiorganore. Përveç prekjes në mushkëri, nga grafia u panë dhe insuficensa në organet e tjera, si mëlçia . Duke qenë se nga Instituti i Higjienës erdhi përgjigja për infektim me virusin A, filluam mjekimin me medikamentin standard Tamiflu, që përdoret edhe për gripin e derrave".
Sipas tij, në momentin kur është mësuar se pacienti mund të ketë virusin e gripit të derrave janë hequr dy pacientë që ndodheshin në Reanimacion dhe është bërë izolimi. Ndërsa personeli mjekësor që i shërben pacientit është i pajisur me maska.
I sëmuri, babai i dy fëmijëve ka ardhur në Shqipëri vetëm para disa ditësh pasi jetonte në Itali, ku edhe mendohet se mund të jetë infektuar. Sipas shefit të Reanimacionit të Sanatoriumit, pacienti po mbahet i izoluar pasi ka dyshime të forta se është me A/H1N1". Sipas doktorit gjendja e tij shëndetësore është shumë e rëndë.
Në Shqipëri 29 të prekur nga gripi i derrave, konfirmohen rastet e reja
Në Shqipëri 29 persona janë prekur nga gripi i derrave, ndërsa shtohet alarmi me ardhjen e stinës se vjeshtës për shtim të tyre. Epidemiologu Dritan Ulqinaku tha se 9 mostrat e dërguara në laboratorin e Bukureshtit janë konfirmuar si të prekur me virusin A/H1N1.
Sipas tij, nga rastet e reja të konfirmuara me virusin e gripit A /H1N1, 2 janë në Gjirokastër, 1 në Durrës, 1 në Devoll dhe 5 raste në Tiranë.
Përgjigjet e analizave të mostrave, të cilat rezultuan pozitive, mbërritën sot nga Laboratori i Referencës për Europën Juglindore në Bukuresht (Rumani). Mostrat u dërguan në këtë laborator për përcaktimin e nëntipit, pasi rezultuan me virusin A në Laboratorin e Virologjisë pranë ISHP-së.
Sipas buletinit nr. 10 të ISHP-së, numri i mostrave të marra në total në të gjithë vendin është 498, 250 prej të cilave në Spitalin Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, 75 në Spitalin Pediatrik në QSUT, 39 nga poliklinikat në Tiranë, etj.
ISHP-ja: Nëntë të dyshuar me gripin e derrave, 2 fëmijë
dt.27 gusht
TIRANË- Instituti i Shëndetit Publik njoftoi sot se janë marrë plot 500 mostra për verifikim, prej të cilëve 9 kanë rezultuar me gripin A, ndaj janë dërguar në laboratorin e Bukureshtin për të parë nëse janë me A/H1N1.
Në buletin e publikuar sot nga ISHP-ja thuhet se "ndër 9 të dyshuarit, 2 raste janë të grupmoshës pediatrie, përkatësisht 5 vjeç dhe 12 muajsh. ISHP-ja i bën thirrje spitalit Pediatrik në Tiranë që të mos neglizhojnë marrjen e mostrave të fëmijëve që paraqiten me infeksione respiratore, pasi të vegjlit janë ata që preken më shpesh nga ky infeksion.
Sipas ISHP-së, situata nuk është alarmante pasi në 500 mostra vetëm 9 prej tyre kane rezultuar me virusin A. Analizat e 9 rasteve te dyshuara për gripin e derrit janë dërguar ne laboratorin e Bukureshtit nga ku pritet te vijne edhe përgjigjet përfundimtare nëse këta persona janë të prekur nga gripi i derrave.
Po nga buletini mësojmë se "numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 25 - 44 vjeç". Po kështu ISHP bën thirrje për kujdes me fëmijët sepse numri më i larte i infeksioneve respiratore paraqitet në grupmoshën pediatrie. "Tërheqim vëmendjen e pediatërve dhe epidemiologeve ne të gjithë vendin por sidomos departamentit te pediatrisë pranë QSUT qe te ndërgjegjësohen për rëndësinë e marrjes se mostrave në këtë grupmoshë", shkruhet në buletin e ISHP-së.