E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrave, vdes emigranti shqiptar

04/09/2009  Greqi, prej ditësh viktima ndodhej në gjendje të rëndë në spital

Përhapja e gripit të derrave ka shkaktuar dhe viktimën e parë në popullatën shqiptare. Një emigrant shqiptar në shtetin grek ka humbur jetën si pasojë e prekjes nga ky virus, i cili është shoqëruar me komplikacione të rënda shëndetësore. Sipas të dhënave të deklaruara, rezulton se bëhet fjalë për 25-vjeçarin Jani Metushi, i cili prej ditësh ndodhej i shtruar në spitalin “Evangjelizmo” të Athinës. Mjekët që e kanë trajtuar këtë rast kanë pohuar se djali është paraqitur me simptoma të rënda, për të cilat i është nënshtruar dhe trajtimit urgjent, por pa mundur të shpëtojë. Burime të shëndetësi greke bëjnë të ditur se emigranti shqiptar është shtruar në këtë spital urgjentisht në datën 19 gusht, pasi është konstatuar se është infektuar nga gripi i derrave gjatë pushimeve në ishullin Paros të Greqisë. Pas kësaj ai ka shfaqur shenja, si vështirësi në frymëmarrje dhe është konstatuar se ky virus i ka shkaktuar pneumoni të rëndë në mushkëri. Ditë më vonë në sinteze me historikun e rëndë shëndetësor të tij, pasi ka pasur prej kohësh probleme kardiake, madje edhe aparat për aritminë në zemër, virusi i gripit i ka shkaktuar komplikacione të tjera shëndetësore, midis tyre në orët e fundit edhe mosfunksionim të shumë organeve, dhe kjo ka sjellë vdekjen e tij. Numri total i qytetarëve të prekur nga virusi i gripit të derrave në shtetin grek rezulton të jetë më shumë se 2000 persona, ku vetëm në javën që lamë pas janë raportuar më shumë se 157 raste. Megjithatë, specialistët e këtij vendi kanë pohuar se rastet e përhapjes kanë ardhur në rënie krahasuar me javët e shkuara.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›