E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi kërkon miratimin gjykatave administrative

04/09/2009  Mbështetja e USAID-it

Drejtuesit e 28 shoqatave të biznesit nga i gjithë vendi i kërkojnë parlamentit të ri shqiptar të miratojë këtë vjeshtë projektligjin për gjykatën administrative, me qëllim hapjen e rrugës së krijimit të një sistemi modern të gjykatave që do të mund të trajtojnë në mënyrë efektive dhe të drejtë mosmarrëveshjet administrative. Ata u mblodhën dje në Tiranë për të diskutuar rreth zgjerimit të përpjekjeve të avokimit rreth projektligjit “Për Gjykatën Administrative” dhe synojnë që këtë muaj të fillojnë një fushatë intensive, që synon të mobilizojë bizneset dhe publikun në përkrahje të këtij projektligji. Në këtë takim, drejtorja e misionit të USAID-it në Shqipëri, Roberta Mahoney, përgëzoi përpjekjet për të lobuar për reformën në sistemin gjyqësor. “Tani varet kryesisht nga ju që t’i bëni vendimmarrësit t’i vënë në jetë planet për krijimin e Gjykatës Administrative si një institucion nga i cili do të përfitojnë komuniteti i biznesit, institucionet publike dhe të gjithë qytetarët”, - deklaroi ajo. USAID-i në kuadrin e Marrëveshjes Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë II, do të punojë me qeverinë dhe sistemin shqiptar të drejtësisë për të ngritur Gjykatën Administrative. Faza e dytë e këtij programi është një marrëveshje 2-vjeçare me vlerë 15.7 milionë dollarë ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-ve, e financuar nga MÇ dhe e administruar nga USAID-i. Ajo ka për qëllim të forcojë shtetin ligjor, të reduktojë korrupsionin dhe të rrisë mbikëqyrjen nga publiku.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›