E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, asnjë rast me virusin H1N1 në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë konfirmoi sot se asnjë shtetas, shqiptar apo i huaj, që ka hyrë në vend nga aeroporti "Nënë Tereza", apo pika të tjera kufitare, nuk ka qenë i dyshuar për këtë virus nga punonjësit shëndetësore. 

TIRANË -Në Shqipëri deri tani nuk ka asnjë të dyshuar me virusin H1N1, ose, siç njihet ndryshe, gripi i derrave.
Sipas Zyrës së Shtypit të Ministrisë së Shëndetësisë, të dhënat e fundit konfirmojnë sot se asnjë shtetas, shqiptar apo i huaj, që ka hyrë në vend nga aeroporti ndërkombëtar "Nënë Tereza", apo pika të tjera kufitare, nuk ka qenë i dyshuar për këtë virus nga punonjësit shëndetësore.
"Nga data 28 prill deri në datën 1 maj në aeroportin 'Nënë Tereza' kanë hyrë 6390 udhëtarë, nga të cilët 4257 shtetas shqiptarë dhe 2033 të huaj. Sipas të dhënave, 233shtetas kanë qënë amerikanë, 4 meksikanë që jetojnë në Itali nga dhjetori i vitit 2008, 60 kanadezë, 11 izraelitë, 56 austriakë, 133 gjermanë, si dhe 241 anglezë."
“Gjatë ditës së djeshme, janë dizinfektuar dhe avionët e dy kompanive shqiptare”, bën të ditur Zyra e Shtypit e MSH.
Ministria e Shëndetësisë ka shpërndarë materialet informative mbi virusin H1N1, simptomat, masat për parandalimin dhe këshillat përkatëse në Vlorë dhe Durrës. Ndërsa, materialet mbrojtëse dhe dizinfektantët janë shpërndarë tashmë në në 12 rrethe të vendit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›