E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, dy raste të dyshuara në Vlorë

VLORË- Shtohen rastet e dyshuara për gripin e derrit në vendin tonë, ndonëse asnjë prej mostrave të analizuara deri tani nuk kanë rezultuar me këtë virus.
Tre rastet e fundit të dyshuara me virusin A/H1N1 vijnë nga reparti i pediatrisë së Vlorës. Bëhet fjalë për tri fëmijë që janë paraqitur për ndihmë në këtë repart me simptoma të gripit. Duke qenë se fëmijët kishin ardhur nga shtete fqinj, bluzat e bardha të Vlorës kanë dashur t'i paraprijnë gjithçkaje duke përcjellë analizat e tyre në laboratorët përkatës. Lajmi konfirmohet edhe nga burime të repartit pediatrik të Vlorës, të cilët pranojnë se pak ditë më parë në këtë repart janë paraqitur dy fëmijë, që kishin ardhur nga Italia dhe Greqia. "Shenjat me të cilat këta fëmijë paraqiteshin ishin shkak për dyshim, për vetë ngjashmërinë e simptomave me atë të virusit të rrezikshëm"- thotë burimet.
Përballë kësaj situate, kampionet e marra nga fëmijët e dyshuar u nisën në laborator në Tiranë për analiza të specializuara, nga të cilat pritet konfirmimi. Gjithsesi pranë pediatrisë situata nuk është përcjellë me alarm, pasi sipas mjekëve mund të kemi të bëjmë thjesht me viroza të stinës. Ata pranojnë se dyshimi lindi për faktin se këta fëmijë kanë ardhur nga vende ku tashmë janë konfirmuar rastet me H1N1.
Një tjetër rast ka qenë edhe ai i një 15-vjeçari, shtetas maqedonas, i cili pas ekzaminimit ka rezultuar negativ sa i përket virusit në fjalë.
Me rritjen e temperaturave ditët e fundit është rritur dhe fluksi i shtrimeve si dhe të vizitave që bëhen në repartin e pediatrisë së spitalit rajonal. Në ditë janë rreth 35 raste shtrimi, të cilët marrin mjekim dhe dalin nga spitali.
Referuar rasteve shefi i epidemiologjisë në Drejtorinë e Shëndetit dhe Kujdesit Publik, Agron Bashllari pohon se nuk bëhet fjalë për dyshime të mirëfillta, por për t'i paraprirë çdo situate të mundshme. "Analizat janë përcjellë drejt Tiranës, ashtu si mund të jenë dërguar edhe nga zona të tjera në vend"- tha ai.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›