E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, shkollat nën mbikëqyrjen e mjekëve

TIRANE-Pas rasteve të para të zbuluara me virusin e gripit të derrit në shkolla, Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar “instalimin” e mjekëve në këto mjedise. Bluzat e bardha të kryejnë kontrolle të shpeshta në shkolla, për të parë nëse ka raste të dyshimta me virusin A/H1N1 dhe izolimin në kohë të pacientëve të vegjël. Kjo masë është marrë me një vendim të ministrit Petrit Vasili, pas deklaratës se dy ditëve me parë se vendi ynë ndodhet në prag pandemie. Prania e mjekëve do të konfirmojë në kohë rastet që mund të dyshohen për simptoma të gripit të derrit, pas rritjet së numrit të mungesave që janë vënë re javën e fundit në shkolla. Por, edhe institucionet arsimore do të raportojnë çdo ditë mungesat e nxënësve në klasa, numër ky i cili ditët e fundit ka qenë tejet shqetësues për autoritetet shëndetësore në vend.
Të gjitha shkollat do të mbajnë të dhëna për nxënësit që shfaqin probleme shëndetësore dhe në kohën kur mjekët paraqiten në shkolla, këta të fundit do të konfirmojnë nëse ka rrezik për praninë e tyre në klasë. Ndërkaq, në mjediset arsimore do të krijohen vende të posaçme ku mjekët do të kontrollojnë rastet e dyshuara me grip derri dhe në rast se ato janë pozitive, do të izolohen për t’u trajtuar me tamiflu. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, ka pohuar se situata po ndiqet më vëmendje, por nuk parashikohet mbyllja e shkollave.
Nderkohe shkollat dërgojnë rregullisht në drejtoritë arsimore çdo ditë numrin e mungesave për nxënësit e prekur nga gripi sezonal dhe ditë-qëndrimin e tyre në shtëpi. Gjatë fillimit të javës, në shkolla numri i mungesave ka qenë shumë i madh, por në ditët në vijim ka pësuar ulje. Vetëm javën e fundit, pacientët e prekur nga infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes janë shtuar me 13 për qind, ndërsa krahasuar me vitet e shkuara, numri i të prekurve është disa herë më i lartë.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›