Interi mund Bolonjën dhe shkëputet nga Juve
MILANO- Interi ka fituar 3-1 në transfertë kundër Bolonjës, duke shkuar plus 8 pikë nga Juventusi, që sot ka një ndeshje të vështirë kundër Udinezes. Surpriza e Murinjos në takimin e së shtunës ishte aktivizimi si titullar i Mario Balotelit dhe në fund, ai rezultoi vendimtar. Momenti i vetëm i keq në ndeshjen e djeshme ishte nxjerrja me karton të kuq e Maikon, për protesta ndaj anësorit. Herën e fundit që Baloteli ishte në fushë, Murinjo e quajti “afër zeros”, ndërsa këtë herë foli me superlativa. Interi kaloi në avantazh që në minutën e 22-të me anë të Diego Militos, pas një aksioni të gjatë. Vetëm një minutë më pas Zalajeta barazon, pas një kontrolli të bukur me të majtën. Interi shkoi në dhomat e zhveshjes me avantazhin e sigluar nga Baloteli, që dërgoi në rrjetë me kokë një top të goditur nga Maikon nga jashtë zone. Mbrojtja bolonjeze edhe në këtë rast e përgjumur. Në pjesën e dytë, Kambiaso shënon golin e fitores 3-1 pas një asisti të bukur të Militos. Ndeshja praktikisht është e mbyllur, përveçse për Maikon që merr një karton të kuq për protesta në fund të ndeshjes.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)