Gripi i derrit,shtohen edhe 9 raste të reja, një 50-vjeçar në rrezik për jetën
zirina llambro
Shkon në 29 numri i të prekurve nga Gripi i derrave. Dje në mbrëmje nga Rumania erdhi konfirmimi për 9 rastet e reja që dyshoheshin. Dy prej tyre janë fëmijë. Ndërkaq, një prej personave të prekur nga gripi i derrave rrezikon jetën. Pacienti është shtruar 5 ditë më parë në Sanatorium dhe aktualisht ka një gjendje të rënduar shëndetësore. Lajmin e konfirmuan për gazetën burime nga Ministria e Shëndetësisë, por edhe vetë drejtuesit e spitalit të mushkërive. Mësohet se i sëmuri, rreth të 50-ve aktualisht është në reanimacion dhe po i jepet oksigjen në mënyrë artificiale. Sipas mjekëve të sanatoriumit, pacienti veç gripit të derrave vuan edhe nga një sëmundje kronike. “Aktualisht i sëmuri ka insuficiencë organike dhe është i prekur nga hepatiti. Për rrjedhojë ka pasur edhe probleme me mëlçinë. Që ditën e parë që ka ardhur i është bërë intubimi (frymëmarrje artificiale), pasi gjendja e tij ishte mjaft serioze”, shprehen mjekët. Këtë fakt e pranoi edhe drejtori i spitalit të mushkërive Rezart Oketa. “I sëmuri po mbahet i izoluar nën terapinë e oksigjenit. Ambientet ku po trajtohet plotësojnë të gjitha kushtet dhe parametrat e kërkuara për të shmangur përhapjen e virusit”, tha drejtori i Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”. Ai shtoi se pavijonet dhe bluzat e bardha janë pajisur me mjete dhe materiale mbrojtëse. Prekjen e pacientit nga virusi i gripit të derrave e konfirmuan analizat e Institutit të Shëndetit Publik të kryera dhe verifikimi i rastit u bë më tej nga Laboratori i Referencës për Evropën Juglindore, në Rumani. Sipas mjekëve marrja e virusit AH1N1 është faktori kryesor i përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të 50-vjeçarit. Ndërkaq, edhe sipas buletinit të fundit që pasqyron për gjendjen aktuale për situatën e gripit, nga rastet e verifikuara ka edhe pacientë të cilët konsiderohen me sindroma të vështira. “Në sistemin e survejancës përfshihen edhe 2 sindromat e mëposhtme: Insuficience Respiratore Akute, Sëmundje e Rëndë Respiratore Akute”, thuhet në buletin. Ndërkaq, sipas ISHP nga mostrat e marra ditët e fundit, të cilat llogariten të jenë në mbi 90, vetëm 9 prej tyre rezultuan me virusin A, pra u dyshuan si të prekur nga gripi i derrave. Kampionet e gjakut për këto raste u dërguan ne laboratorin e Bukureshtit nga ku erdhën dje në mbrëmja përgjigjet përfundimtare. Sipas buletinit të ISHP, të infektuarit janë kryesisht në Tirane dhe katër pacientë në Durrës dhe një tjetër i prekur në Sarandë. Ndërsa numri i mostrave ka arritur në 500, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik presin çdo ditë për analiza 30 mostra të reja. Sa i përket vaksinave burime të sigurta nga ministria bëjnë me dije se megjithë tentativat e mundshme deri tani Shqipërisë i është mohuar lidhja e kontratave me firmat prodhuese. Me fluksin e kërkesave botërore për të siguruar vaksinën kundër gripit të derrave, vendi ynë ka shumë gjasa të mbetet jashtë listës së shteteve, që do ta marrin atë në vjeshtë. Por nëse të paktën grupet e riskut nuk vaksinohen shanset për një epidemi masive mbeten tepër të larta. Ministria e Shëndetësisë u ka bërë apel qytetarëve që të paktën të sigurojnë vaksinën e gripit të zakonshëm, por edhe nga ky tip është vështirë të gjendet në tregun botëror.
Shenjat
• Temperaturë e lartë
• Të dridhura / ethe
• Dhimbje koke
• Lodhje
• Kollë
• Dhimbje fyti
• Diarre, të vjella
Pediatria, 220 fëmijë në ditë me shenja të gripit
Fluksi i fëmijëve në Pediatrinë e Tiranës nuk ka rënë aspak. Nga sa bëjnë me dije mjekët specialistë çdo ditë paraqiten më shumë 220 të vegjël me viroza e ftohje. Prindërit, të trembur nga virusi i gripit të derrave, u drejtohen menjëherë urgjencave për shqetësimin më të vogël që kanë fëmijët. Por megjithë këtë situatë numri i mostrave që marrin mjekët specialistë për t’i dërguar në ISHP mbetet i ulët. Madje në buletinin e këtij institucioni vijon t’u tërhiqet vëmendja pediatërve. “Ka një numër të vogël mostrash të marra në moshën pediatrike, moshë mjaft e rëndësishme duke pasur parasysh që dhe numri më i lartë i infeksioneve respiratore paraqitet në këtë grupmoshë. Tërheqim vëmendjen e pediatërve dhe epidemiologëve në të gjithë vendin, por sidomos departamentit të pediatrisë pranë QSUT që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e marrjes së mostrave në këtë grupmoshe”, thuhet në buletinin e fundit të ISHP. Nga ana tjetër, mjekët u kërkojnë prindërve të bëjnë kujdes me shenjat e virozëve dhe t’i kushtojnë vëmendje temperaturës së ambientit ku qëndrojnë fëmijët e tyre. ”Është tejet i dëmshëm kapërcimi me disa dhjetëra gradë i temperaturave brenda shtëpisë dhe atyre jashtë. Nga përdorimi i kondicionerëve, duke i graduar ulët, fëmijët mund të kalojnë shumë kollaj në ftohje. Ndaj duhet gjetur një rrugë e mesme”, theksojnë bluzat e bardha. Sakaq, ata bëjnë apel për konsum të ushqimeve të shëndetshme dhe një higjienë sa më të mirë personale.