E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tropojë, vetëvritet inspektori i pyjores

 

TROPOJE – Gjendet i vrarë inspektori i pyjores në Bajram Curri. Rasim Lushi, 43 vjeç, baba i 2 fëmijëve dyshohet se ka kryer vetëvrasje, pas 3 ditësh largimi nga shtëpia. Sipas të dhënave të policisë së Tropojës, bëhet e ditur se trupi i pajetë i Lushit u gjet mesditën e djeshme, në zonën e njohur si gurorja e Rahës, në afërsi të Fierzës. Ekspertët pohuan se vdekja i kishte ardhur nga një plumb i vetëm i marrë në gjoks, ndërsa pranë trupit të viktimës ndodhej dhe një pistoletë tip TT, të cilën Lushi e mbante me vete për shkak të detyrës. Rasim Lushi, prej vitesh ishte punonjës i Inspektoratit të Pyjeve në Tropojës, i caktuar me detyrë në komunën Lekbibaj. Nisur nga detyra që mbante, policia ka ngritur paralelisht me pistën e vetëvrasjes dhe atë të vrasjes së qëllimshme. Janë marrë në pyetje gjatë ditës së djeshme familjarë të viktimës, të cilët pohuan se prej kohësh 43-vjeçari kishte shfaqur shenja të depresionit. Ai ishte larguar pa lënë asnjë njoftim 3 ditë para gjetjes së trupit të tij pa jetë. Dëshmitë e kolegëve të tij kanë treguar për policinë se Lushi nuk kishte pasur konflikte gjatë detyrës. Prania e pistoletës pranë viktimës, pozicioni i armës dhe i plumbit në trup, kanë qenë të dhëna se bëhej fjalë për vetëvrasje. Megjithatë, hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit, deri në përcaktimin dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.                                                                             j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›