Rama-Braçe, sherr për delegatët e Kuçovës
Aristir Lumezi
Kryetari socialist Edi Rama dhe nënkryetari i grupit parlamentar socialist Erion Braçe kanë debatuar me tone shumë të ashpra për delegatët e Kuçovës. Braçe, një nga mbështetësit e flaktë të Ramës, i ka kërkuar këtij të fundit të mos u çojë mandatet e delegatëve në Kuçovë, për shkak të qëndrimit që ata kanë mbajtur në zgjedhjet e 28 qershorit. “Delegatët e Kuçovës dhe 300 anëtarë të PS që mbështetën G99 në Kuçovë do të përjashtohen fare”, i është drejtuar Braçe kryetarit socialist. Rama nuk e ka mbështetur Braçen në këto pretendime, ndërsa ky i fundit ka kërkuar që nëse nuk bëhet një gjë e tillë, ai do të bojkotojë forumet e PS-së. I nervozuar me këtë qëndrim të nënkryetarit socialist të grupit parlamentar, Rama ka akuzuar Braçen se për shkak të tij, koalicioni i drejtuar nga PS ka humbur dy mandate në qarkun e Beratit. “Unë jam i qartë se dy mandate në Berat janë humbur për shkakun tënd. Unë i di mirë këto fakte, por nuk kam folur këto kohë, pasi nuk është situata në PS të bëjmë këto analiza”, i është përgjigjur Rama toneve të larta dhe kërcënuese të Braçes. Ky qëndrim i Ramës nuk i ka pëlqyer kreut të deputetëve të qarkut të Beratit, i cili nga ana e tij akuzoi Ramën se mban anën e atyre që shkruajnë peticione kundër meje. Mësohet se dje selia rozë i ka dërguar PS-së Kuçovë mandatet e tetë delegatëve të Kongresit. Ky debat i Braçes me Ramën bëri që nënkryetari i grupit socialist të mungojë nga mbledhja e kryesisë së dy ditëve më parë të thirrur nga tetë anëtarë kryesie dhe të sekretariatit. Pak ditë më parë, në një deklaratë drejtuar kryesisë socialiste dhe kryetarit Rama, grupi i këshilltarëve socialistë të Bashkisë Kuçovë, cilësonin deputetin socialist Erion Braçe si përgjegjësin kryesor për humbjen e mandateve të tjera socialiste në qarkun e Beratit. Përmes një peticioni drejtuar kryetarit në detyrë Edi Rama, ata kërkonin distancim nga deputeti Braçe pasi sipas tyre, ai ka mbajtur një qëndrim denigrues ndaj Bashkisë së Kuçovës dhe këshilltarëve socialistë, që punuan gjatë fushatës për fitoren e koalicion “Bashkimi për ndryshim”. Sipas tyre, në fushatën zgjedhore, Braçe nuk kishte kundërshtar politik PD-në, por partitë aleate të koalicionit të PS-së, si G99, të cila gjente mjaft mbështetje në bashkinë e Kuçovës. “Me këtë deklaratë i kërkojmë kryesisë socialiste dhe kryetarit të PSSH Edi Rama, deputetëve socialistë të Qarkut Berat të distancohen nga qëndrimi i Erion Braçes dhe personave që ndikuan negativisht me trakte të shëmtuara të shpërndara sa andej këtej Kuçovës dhe të rivlerësojnë punën dhe arritjet shumë të mira të Bashkisë Kuçovë e të së zgjedhurve vendorë në këshillin bashkiak, por dhe të së zgjedhurve në forumet e PS-së së kësaj bashkie”, shprehen në peticionin e tyre këshilltarët socialistë të Bashkisë Kuçovë.