E Enjte, 5 Nëntor 2026

“Gripi i shpendëve”, impiantet e rritjes intensive të shpendëve në Shqipëri regjistrojnë humbje

Pas raportimit të Kosovës dhe Greqisë për gripin e shpendëve në fund të majit dhe ditët e para të qershorit, Shqipëria “mbylli kufirin” për këto 2 shtete. 

Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit tha me kete rast se certifikatat e origjinës nga Greqia të garantojne ngarkesën e ardhur. 
Shoqata e Shpendrritësve ngriti shqetësimin që nga pala greke në doganat shqiptare dokumentat vijnë të fallsifikuara dhe i tregoi RTSH një nga këto dokumente. 

Marreveshja e Tregtisë së lirë nuk e lejon “ULJEN E TRAUT” dhe bllokimin e tregtise. Po ndërsa importet e Greqise nuk mund të ndaloheshin, urdhrat ndalonin të tregtonin edhe fermat e pastra në Shqipëri.

Ndikimi ishte i menjëhershëm: largim dhe refuzim i konsumatorit për këto produkte. 

Që nga data 8 qershor e deri tani dëmet, sipas shoqatës së shpendërritësve,  arrijnë shifra të frikshme prej rënies së tregut. 

RTSH vizitoi disa nga impiantet moderne te rritjes së shpendëve në vend. Sipas informacionit zyrtar, janë gjendje nëpër ferma mbi 2 milionë shpendë me peshë mbi 2  kg (8 milion euro stok), që nuk dërgohen dot as në thertore për mbingarkesë kapaciteti të therjes, ruajtjes dhe magazinimit, për shkak të bllokimit të të gjitha tregjeve të shitjes së gjallë dhe rënies së konsumit të mishit të therur të pulës deri 50 %. 

Në Shoqatë thonë se asnjë prodhues nuk ka më fuqi financiare për të përballuar këtë situatë, duke rrezikuar që të mbyllen stabilimentet, të nxirren njerëzit në rrugë etj. Pulat në stabilimente janë të pastra, ekspertët konfirmojnë se nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i tyre.  

Ministria këmbëngul se synon mbrojtjen e konsumatorit, por edhe të prodhuesve.

Në treg ka bllokim të shitjeve dhe të therrjeve, konsumatori konsumon mesa duket vetëm import pulash dhe vezësh, të cilat pranohet se janë të pastra. Humbjet e sipërmarrësve shqiptarë nuk dihet nëse do të njihen nga autoritetet fiskale, ndërsa e gjithë kjo kërkon që palët të ulen dhe të zgjidhin këtë ngërç, pa sjellë dëme më të mëdha ekonomike. Vetëm për një javë, impiantet e rritjes intensive të shpendëve në Shqipëri kanë humbur rreth 3 milionë euro.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›