Rama: 70% e tenderave me probleme, 20% e institucioneve nuk kanë reaguar ndaj udhëzimeve të APP

Kryeministri Edi Rama ka shprehur shqetësimin lidhur me tenderat e kryer nga institucionet shtetërore. Gjatë një takimi me ministrat për të prezantuar paketën e re të prokurimeve, ai tha se 70% e tenderëve të bërë kanë pasur probleme. Pjesa më e madhe ka pasur probleme sa i takon hartimit të kritereve.
“Janë asistuar 936 procedura të publikuara nga këto institucione, ndër to 70% e procedurave kanë rezultuar problematike në hartimin e kritereve dhe për këtë arsye institucioneve përkatëse janë dërguar rekomandime nga Agjencia e Prokurimeve Publike” tha zoti Rama.
Për kryeministrin problemi më i madh është mosreagimi i institucioneve pas rekomandimeve nga ana e kësaj agjensie. “20% e institucioneve nuk kanë reaguar dhe ose nuk kanë reflektuar ndaj rekomandimeve. Rekomandimet nuk janë të shkruara në gur, nuk janë të padiskutueshme, por është e padiskutueshme që mos reagimi ndaj tyre me shkrim për të vënë në diskutim me argumente është cënim flagrant i etikës shtetërore”, tha zoti Rama.
“Paketa e re adreson domosdoshmërinë për të rritur integritetin dhe përgjegjshmërinë e të gjitha palëve në këtë proces, për të forcuar mekanizmat monitorues dhe ndëshkues për shkeljet e konstatuara” tha kryeministri Rama. Nëse rekomandimet e Agjencisë së Prokurimeve Publike do bien në vesh të shurdhët, vetë Kryeministria do t’i referojë rastet në SPAK, paralajmëroi shefi i qeverisë.