Ritme të larta punimesh për ndërtimin e pediatrisë së Elbasanit

Investimet në shëndetësi kanë transformuar spitalet rajonale duke ofruar jo vetëm kushte më të mira, por edhe më shumë shërbime cilësore për pacientët. I tillë është edhe investimi që po kryhet në pediatrinë e re të spitalit të Elbasanit. Kryeministri Edi Rama solli sot pamje nga ky kantier i investimeve në shëndetësi, ku punimet po ecin me ritme të larta.
“Kjo është Pediatria e Elbasanit ku puna për rindërtimin po ecën me ritme të larta”, tha kryeministri Rama. Ndërkohë, ndërtesa e vjetër të Spitalit të Kirurgjisë, ndërtim i vitit 1976, në qytetin e Elbasanit, i është nënshtruar rikonstruksionit të thellë, që e ktheu në Spital të Urgjencës dhe të Patologjisë, me dy shërbime kryesore, Neurologjinë dhe Kardiologjinë. Spitali ofron një shërbim me rreth 76 shtretër, 25 për urgjencën, 35 për kardiologjinë, 23 për neurologjinë, sipas standardeve të një spitali rajonal.