E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi, një tjetër pacient në gjendje të rëndë

14/12/2009  Përveç 310 të infektuarve shkon në katër numri i viktimave

Mosha mesatare e rasteve të prekura është 23 vjeç

Përhapja e virusit të gripit të derrave po bëhet gjithnjë e më agresiv te moshat e rritura, sidomos te pacientët që vuajnë edhe nga sëmundje të tjera kronike. Pranë spitaleve gjenden të shtruar edhe katër pacientë të tjerë, të cilët kanë manifestuar komplikacione të rënda shëndetësore. Mjekët raportojnë se njëri prej pacientëve të prekur nga ky virus, që gjendet i shtruar në spitalin e QSUT-së, ndodhet në gjendje më të rëndë dhe po i nënshtrohet një trajtimi të specializuar. Sipas të dhënave të publikuara, në vendin tonë rezultojnë të prekur nga gripi i derrit rreth 310 persona, ndërsa numri i viktimave ka arritur në katër, tre prej tyre përveç virusit A/H1N1 vuanin edhe prej sëmundjeve të tjera kronike. Personi i katërt që ka humbur jetën është një 31-vjeçar nga qyteti i Vlorës.

Numri i pacientëve të infektuar pohohet të jetë më i lartë, por mjekët sqarojnë se mostrat që analizohen nuk merren për të gjitha rastet e shfaqura, por vetëm për ato raste kur gjendja rezulton të jetë më e rëndë. Deri tani pohohet se janë marrë 2229 mostra nga Tirana dhe rrethet, për të cilat janë kryer analizat. Mosha mesatare e rasteve të prekura në total është 23 vjeç. Mjekët këshillojnë që të bëhet shumë kujdes, veçanërisht me moshat pediatrike dhe moshat e treta, që janë më të rrezikuarat për t’u prekur jo vetëm nga ky virus, por dhe nga gripi sezonal, virus i cili është përhapur në mënyrë të shpejtë, duke shkaktuar rreth 16 mijë të prekur çdo javë. Gripi sezonal karakterizohet nga temperatura e lartë, kolla, zakonisht e thatë, dhembje koke, muskujsh, artikulacionesh, dobësi, rrjedhje të hundëve. Në raste të caktuara personat e prekur nga gripi kanë ethe dhe brenda një jave kanë probleme, nëse nuk trajtohen. Koha e inkubacionit të virusit të gripit të zakonshëm është dy ditë, ky lloj virusi mund të prekë të gjithë popullatën, por mund të jetë më agresiv për një pjesë të popullatës me risk, siç janë fëmijët, të moshuarit dhe pacientët kronikë apo me gjendje të vështirësuar shëndetësore.

Kategoritë e rriskuara

Mjekët këshillojnë që të bëhet shumë kujdes, veçanërisht me moshat pediatrie dhe moshat e treta, që janë më të rrezikuarat për t’u prekur jo vetëm nga ky virus, por dhe nga gripi sezonal, virus i cili është përhapur në mënyrë të shpejtë. Ata që preken më shumë janë personat me probleme të zemrës, mushkërive, veshkave, pacientët me sëmundje gjaku, me probleme metabolike, si diabeti ose ata me sistem imunitar të dobët. Këta të fundit manifestojnë dhe format më të rënda të sëmundjes, të cilat, nëse nuk trajtohen në kohë, mund të mbartin pasoja fatale.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›