E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfindustria kundër rritjes së energjisë

14/12/2009  Sipas llojit të industrive, energjia përbën 6 – 25 për qind të kostos së përgjithshme

Buxhuku: ERE të ketë parasysh çmimet në vendet e rajonit dhe të Evropës

Konfindustria shprehet kundër rritjes së mundshme të çmimit të energjisë për vitin 2010. Me anën e një reagimi publik grupimi i industrive në vend konsideron të domosdoshme garancinë e sigurimit të energjisë për industritë e vendit. Sipas administratorit të përgjithshëm, Gjergj Buxhuku, pasoja e parë e ndjeshme e rritjes së çmimit të energjisë do të ishte ulja e konkurrueshmërisë së prodhimeve dhe shërbimeve shqiptare në krahasim me vendet e rajonit dhe më tej. Kjo duke marrë parasysh se energjia është njësi bazë e krijimit të kostos së të gjitha prodhimeve dhe shërbimeve. Në varësi të llojit të industrive në vend kjo njësi ndryshon nga 6 – 25 për qind të kostos së përgjithshme. “Në kushtet e tregjeve të varfëruara rajonale, evropiane dhe globale nga kriza botërore ekonomike dhe financiare, nevojës tepër të prekshme për likuiditet të biznesit vendor, uljes së aftësisë blerëse të konsumatorit r në gjysmën e dytë të vitit 2009, që pritet të thellohet në 2010, ulja e konkurrueshmërisë do të sillte rritjen e falimentimeve për industritë vendore me gjithë pasojat e padëshirueshme shoqëruese. Sa më sipër kërkon, që vendimmarrja për vendosjen e çmimit të energjisë për industritë/biznesin dhe qytetarët, duhet të ketë parasysh çmimet në vendet konkurruese tregtare të Shqipërisë të paktën në rajon dhe Evropë”, - theksoi Buxhuku. Në këtë prizëm duhet të merren parasysh mundësitë e uljes së çmimit për bizneset sipas krahasimit me vendet në rajon. “Kalimi nga monopol publik në monopol të pastër privat të rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike pas privatizimit të OSSH-së, duhet të ishte shoqëruar domosdoshmërish me rritjen e rolit të ERE-s dhe ekzekutivit shqiptar. Sa më sipër është mënyra e vetme për të parandaluar pasojat krejtësisht të dëmshme, që objektivisht mund të rrjedhin nga furnizimi monopol i sotëm i energjisë elektrike të bizneseve, industrive dhe qytetarëve shqiptare”, - tha Buxhuku. Sipas Konfindustrisë, para se të merret vendimi për kërkesën e OSSH-së, ERE-ja duhet të arsyetojë se si mund të kërkohet rritje e çmimit të energjisë, aq më tepër në shkallën mbi 43 për qind, kur çmimi i energjisë po ulet në tregjet ndërkombëtare për shkak të rënies së ndjeshme të çmimit të karburanteve vitet e fundit dhe si rezultat i gjendjes të mirë prej disa vitesh radhazi të prodhimit të brendshëm energjetik.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›