Grondona: Mesi, më i mirë se Maradona
Pas rikthimit në Kombëtare, presidenti i federatës argjentinase, Julio Grondona, nuk i ka kursyer komplimentet për 21-vjeçarin Lionel Mesi. Ai kishte munguar në fitoren 1-0 ndaj Skocisë, por tashmë trajneri Maradona e kërkon në dispozicion për miqësoren e shkurtit ndaj Francës. Shumë fansa u gëzuan për rikthimin e Mesit, por asnjë më shumë se vetë Grondona. "Më pëlqen Mesi, e dua mënyrën se si ai luan futboll. Është gjithmonë speciale për mua ta shikoj të luajë", tha presidenti. Më pas analizon stilin e lojës së Mesit në krahasim me atë të legjendarit Maradona. Dhe thotë: "Nëse do të duhet t‘i krahasojmë ata të dy, unë marr në konsideratë faktorin moshë dhe të shikojmë se çfarë ka bërë Maradona. Kur ishte 21 vjeç dhe çfarë po bën Mesi tani. Më duhet të them se Mesi ka bërë më shumë se Maradona. Po kur Leo të arrijë 26 ose 27 vjeç, nuk e di se ç‘mund të ndodhë atëherë".