E Diel, 1 Nëntor 2026

Grosruk shfaqet sërish në Tiranë, takon Topallin e Bashën dhe vlerëson zgjedhjet

(E PLOTESUAR)- Volfgang Grosruk pas Topallit, është takuar edhe me kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, të cilin e ka uruar për detyrën.

Grosruk e uroi zotin Basha për detyrën e re dhe i shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me administratën e tij për projekte të ndryshme, veçanërisht në ato për forcimin e kapaciteteve, thuhet në njoftimin e bashkisë së Tiranës.

***

Volfgang Grosruk është shfaqur sërish në Tiranë, ku është takuar me kryetaren e parlamentit, Jozefina Topalli.

Ende nuk dihen arsyet e vizitës së tij në Tiranë, të cilat gjatë muajve të fundit kanë qenë shumë të shpeshta.

Në njoftimin e shtypit të Kuvendit, thuhet se Grosruk ka bërë të ditur se në muajin shtator, Shqipëria do të vizitohet nga disa parlamentarë austriakë,  ndërsa ka vlerësuar sërish zgjedhjet e 8 majit.

Grosruk në fakt, mendohet se është sekseri i ndërtimit të Kuvendit tek Piramida.

Për të siguruar shpalljen fituese të kompanisë austriake që fitoi të drejtën e projektit të Kuvendit të ri, Grosruk dhe një ekip bashkëpunëtorësh të tij, që kanë lobuar për këtë kompani, kanë udhëtuar në Tiranë në fillim të marsit dhe kanë takuar kryeministrin Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Takimi u paraqit publikisht me ngjyra politike, duke e prezantuar Grosruk si zëvendëspresident të Asamblesë Parlamentare të OSBE. Për ta bërë dhe më të plotë nderin ndaj Berishës, Grosruk bëri dhe deklarata politike kundër liderit të opozitës në Shqipëri, çka është jashtë kodit të etikës së një zëvendëspresidenti të Asamblesë Parlamentare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›