E Diel, 1 Nëntor 2026

Beja: Kreu i ri i shtetit do të zgjidhet nga mazhoranca

02/08/2011  Debatit politik fokusohet tek emri që do të drejtojë institucionin e Presidencës

Debati për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit po bëhet çdo ditë e më prezent në skenën politike. Pretendimet e kaheve politike për të qenë atribut i tyre propozimi i emrit të ri që do të drejtojë këtë institucion kanë nisur të bëhen publike, edhe pse duhet dhe një vit që të shkohet në zgjedhjen e emrit që do të gëzojë postin e Presidentit. Por më të drejtpërdrejtë deri më tani janë shfaqur përfaqësuesit e mazhorancës qeverisëse, të cilët jo vetëm që përjashtojnë mundësinë e një presidenti të propozuar nga opozita aktuale dhe të mbështetur nga shumica në Kuvend, por i kërkojnë kampit kundërshtar të rikthehen në Kuvend e të japin konsensusin për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Kështu, për deputetin e PD-së Fatos Beja, se opozita gjatë dy vjet të shkuar do të ishte treguar më racionale me votat e saj në Kuvend, ajo do të kishte ndikuar në zgjedhjen e disa kandidaturave në Gjykatën e Lartë apo atë Kushtetuese. Ndërkohë lidhur me kreun e ri të shtetit Beja i mëshoi me forcë faktit se drejtuesi i këtij institucioni përcaktohet vetëm nga mazhoranca. “Kjo opozitë, po të ishte më racionale në shfrytëzimin e numrave që ka në Kuvend, nga përvoja që kam, jam i sigurt se do të kishte mundësi të ndikonte për kandidaturat e deritanishme. Kanë ende mundësi ta bëjnë në të ardhmen. Nuk kam parasysh presidentin, flas në përgjithësi për kandidaturat. Ndërsa presidenti përcaktohet nga maxhoranca me kushtetutën që kemi sot në fuqi”, - vuri në dukje deputeti demokrat Beja. Njëkohësisht, përfaqësuesi i PD-së iu referua dhe sistemit aktual zgjedhor, duke nënvizuar faktin se pjesëmarrja në Kuvend e opozitës është e domosdoshme për miratimin e ligjeve të veçanta. Siç dihet, sistemi aktual zgjedhor që ka Shqipëria nuk mund të prodhojë asnjëherë një mazhorancë me 3/5 e votave në parlament, si në rastin e Hungarisë. Duke iu referuar një çështje të tillë, deputeti Beja ftoi në bashkëpunim opozitën të japë kontributin për zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe krijimin e Gjykatës Administrative, mbetur pezull për shkak të refuzimit të socialistëve për të votuar ligjin. “Zgjedhja e Avokatit të Popullit dhe krijimi i gjykatës administrative dhe në të gjitha fushat e tjera është i domosdoshëm bashkëpunimi për të pasur rezultate të shpejta, të dukshme, të vlerësueshme nga komuniteti ndërkombëtar”, - vuri në dukje Beja lidhur me këtë çështje.

Zgjedhjet në PD

“Të rinjtë e ardhmja e partisë”

Deputeti i PD-së Fatos Beja komentoi lidhur me zgjedhjet e reja në kryesinë e kësaj partie.

Sipas tij, 25 anëtarët ishin produkt i votës së Këshillit Kombëtarë. Por nga ana tjetër, përfaqësuesi demokrat nuk harroi t’i cilësojë të rinjtë si e ardhmja e partisë. “Aty ka njerëz që janë që nga themelimi, ka njerëz që kanë pasur një kontribut të veçantë nga ’97-a e mbrapa, në momentin më të keq të PD-së. Ka njerëz që janë angazhuar në PD më 2005-n e prapa. Në çdo zgjedhje ka dhjetëra, mijëra të rinj që futen. Janë 50 mijë të rinj që marrin të drejtën e votës çdo vit, sepse kështu vjen brezi dhe patjetër që ata duan të shohin të përfaqësohen nga breza të rinj”, - u shpreh Beja gjatë fjalës së tij. Gjithashtu ai u ndal dhe në të ardhmen evropiane të vendit. Sipas tij, në rast se në shtator qëndrimi i Partisë Socialiste në Parlament do të jetë destruktiv, atëherë Shqipëria nuk do të ketë një raport pozitiv për integrimin nga Brukseli.

Kushtetuta

“Ndryshimet cenojnë stabilitetin”

Përfaqësuesit e mazhorancës qeverisëse kanë kundërshtuar pretendimet e opozitës për ndryshime të reja në ligjin themeltar të shtetit. Si PD-ja, ashtu dhe LSI-ja kanë vlerësuar se ndryshimet kushtetuese cenojnë rëndë stabilitetin në vend. Për më tepër që sipas tyre nuk mund të ndërhyhet në Kushtetutë sa herë e kërkojnë eksponentë të caktuar të politikës. Ishte vetë Rama që ka kërkuar ndryshimet kushtetuese dhe përsëri ai kërkon të ndryshohet ligji themeltar i shtetit.

Neni 87

1. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat.

2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit Kuvendi zhvillon deri në pesë votime.

3. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

4. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave.

5. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.

6. Kuvendi pasardhës e zgjedh Presidentin e Republikës me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›