Grossruck uron Berishën, për fitoren e Bashës

Kryeministri Berisha priti sot, në një takim Wolfgang Grossruck, Zëvendëspresident i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.
Kryeministri Berisha e falënderoi z. Grossruck për interesin e vazhdueshëm që ai tregon ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar, si dhe kontributin e vazhdueshëm që ai ka dhënë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por edhe në promovimin e imazhit të Shqipërisë në Austri dhe në Evropë dhe në nxitjen e interesit të investitorëve e publikut austriak ndaj vendit tonë.
z. Grossruck, pasi e falënderoi për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, e uroi kryeministrin Berisha për fitoren e Partisë Demokratike dhe të koalicionit që ai drejton në zgjedhjet 8 majit, në veçanti për fitoren e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, e kandidatit të tij Lulëzim Basha, në Bashkinë e Tiranës, duke u shprehur njëkohësisht se këto zgjedhje kanë qenë një moment i rëndësishëm për demokracinë në Shqipëri.
Më tej, Grosruk dhe delegacioni që e shoqëronte, i cili përbëhej nga një numër profesionistësh, intelektualësh të fushave të ndryshme dhe përfaqësues të biznesit austriak vlerësuan arritjet e jashtëzakonshme të reformave të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe dhe u interesuan për mundësitë e shumta që Shqipëria ofron për biznesin e huaj dhe investimet.
Kryeministri Berisha i njohu miqtë austriakë me potencialet e mëdha që Shqipëria ofron në fusha si ajo e turizmit, e prodhimit të energjisë elektrike, nga burimet ujore, ndërtimin e infrastrukturave të rëndësishme, si dhe i njohu me klimën më të favorshme që qeveria shqiptare ka ndërtuar gjatë kësaj periudhe për biznesin dhe investimet, si regjistrimi on line elektronik përmes sistemit One Stop Shop, taksa, e-dogana, prokurimet elektronike, etj.
Në takim u vlerësua gjithashtu bashkëpunimi i shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Austrisë dhe qeverive të dy vendeve në shumë fusha si dhe u vlerësua fakti që investimet austriake zenë vendin e trete për sa i përket investimeve te huaja ne Shqipëri, në sektorë shumë të rëndësishëm si ai bankar, hoteleri turizëm, etj.