Topi, vizita e Petroviç, forcim i marrëdhënieve bilaterale

Kosova po ecën drejt konsolidimit të shtetit të pavarur, sovran dhe multietnik, si dhe të institucioneve demokratike. Deklarata e kryetarit të shtetit shqiptar u bë në takimin që pati në Tiranë me zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Sllobodan Petroviç.
Në vijim të takimit, presidenti Topi vuri në dukje domosdoshmërinë që ka për shtetin e ri të Kosovës mirëfunksionimi i pushtetit lokal për ta sjellë vendimmarrjen më pranë qytetarëve, për t’i shërbyer përmbushjes së kërkesave dhe nevojave të gjithë popullsisë. Në këtë kontekst, presidenti i Republikës vlerësoi faktin se klasa politike dhe qytetarët kosovarë në mënyrë të vazhdueshme kanë dëshmuar maturi, përgjegjshmëri të lartë dhe ndërgjegjësim për sfidat thelbësore për konsolidimin e shtetit multietnik edhe përmes respektimit të drejtave të të gjithave pakicave në vend. Kryetari i shtetit shqiptar ritheksoi besimin se në këtë mënyrë Kosova po hedh hapa të sigurt përpara në konsolidimin e mëtejshëm të shtetit të pavarur, sovran dhe multietnik, si dhe të institucioneve demokratike. “Janë këto shtyllat kryesore të mbështetjes për integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike”, u shpreh presidenti Topi, duke ritheksuar mbështetjen e plotë të shtetit shqiptar për Kosovën në këtë drejtim.
Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Sllobodan Petroviç shprehu mirënjohjen për këtë takim me Presidentin Topi, duke vlerësuar rolin dhe figurën e tij si një politikan proevropian dhe pozicionin mbështetës të Shqipërisë ndaj zgjerimit të hartës së njohjeve të reja të shtetit të Kosovës si dhe inkurajimit të zhvillimit të dialogut Prishtinë-Beograd për çështje teknike.