Gruaja e Haklajt tërhiqet nga kujdestaria e vajzës
Anila Haklaj kërkonte kujdestarinë e vajzës dhjetë vjeçe që prej pesë vitesh ia kishte marrë Muharrem Haklaj në Suedi
TIRANË- Bashkëshortja e Fatmir Haklajt tërhiqet nga kërkesa e saj për të marrë vajzën duke ia lënë atë përfundimisht "plakut të Haklajve" Muharremit.
Gruaja e "të fortit" të Tropojës, Fatmir Haklaj, i vrarë vite më parë, kishte kërkuar në gjykatë që të ishte ajo njeriu që do të rriste vajzën. Kërkesa e saj u kundërshtua nga Muharrem Haklaj, i cili ndodhet së bashku me vajzën në Suedi, ku ka fituar edhe azil politik.
Dje Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, pas 16 seancave gjyqësore të zhvilluara brenda 12 muajve, vendosi me kërkesë të paditëses Anila Haklaj të pushojë gjykimin e çështjes civile ndaj të paditurve Fatime e Muharrem Haklaj, për kthimin e fëmijës së saj të lindur nga martesa me "ish-të fortin" e Tropojës, të ndjerin Fatmir Haklaj.
Ka qenë ora 11:30 minuta të ditës së djeshme, kur avokati i mbrojtës i familjes së bashkëshortes së Fatmir Haklajt, i ka paraqitur gjyqtares së çështjes Rezarta Balliu (Vigani) shkresën për heqje dorë nga ky proces gjyqësor, duke e detyruar këtë të fundit që menjëherë të vendosi pushimin e gjykimit të çështjes.
Sipas vendimit të gjyqtares Vigani, ka qenë ora 11:46 minuta kur është vendosur pushimi i gjykimit të çështjes civile me Nr. 2075 akti, duke ia ngarkuar të gjitha shpenzimet gjyqësore palës paditëse.
Nuk bëhen të ditura arsyet e heqjes dorë, por, një gjë është e sigurt, sipas avokatit të familjes së Muharrem Haklajt, se vajza tashmë 10- vjeçare ka fituar azilin politik bashkë me njerëzit e tjerë të familjes Haklaj në Suedi.
Një gjë e tillë është konfirmuar edhe për Gjykatën e Shkallës së Parë nga avokatët e familjes së Muharrem Haklajt dhe nga autoritetet suedeze, të cilët kanë konfirmuar se vajza 10- vjeçare ka përfituar azilin politik.
Ndërkohë, kërkesë padia e firmosur nga Anila Haklaj e regjistruar me datë 16 shtator 2008 në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet mbante numrin e dosjes 2075 dhe kishte si objekt "kthimin e fëmijës së mitur F.H.".
Sipas kësaj padie që tashmë është pushuar e veja e "ish-të fortit" të Tropojës, Fatmir Haklaj, kërkonte nëpërmjet Gjykatës ta detyronte babanë e bashkëshortit të saj të ndjerë, t'i rikthejë vajzën e mitur, që aktualisht ndodhej në Suedi.
Në padinë e saj, e veja të ndjerit pretendonte se Muharrem e Fatime Haklaj i kanë marr padrejtësisht vajzën e saj 10 vjeçe, duke e larguar edhe nga Shqipëri, të cilën prej pesë viteve nuk e kishte parë. Ndërkohë, rreth dy vite më parë, autoritetet e drejtësisë suedeze vendosen me kërkesë të familjes Haklaj t'i japin disa nga pjesëtarëve të kësaj familje azilin politik.
Azil ky i fituar pas shumë vuajtjesh e kërkesash të kësaj familjeje, duke e bindur drejtësisë suedeze se nëse ktheheshin në Shqipëri i rrezikohej jeta për shkak të hasmërive të shumta, që i sollën edhe vrasjen e katër djemve të kësaj dere.
Edhe shumë të kërkuarit nga drejtësia shqiptare, Hamdi Haklaj dhe motra e tij e Zylfija e njohur edhe si "Shota e Haklajve" kanë fituar azilin politik nga autoritetet e drejtësisë suedeze, pavarësisht se në Shqipëri akuzohen e janë dënuar për vrasje.
Ka qenë data 4 nëntor e vitit 1999 kur është vrarë në një atentat të mirorganizuar në fshatin Bujan të Tropojës ish-i forti i këtij qyteti, Fatmir Haklaj. Pesë ditë pas kësaj vrasjeje, bashkëshortja e të vrarit sjell në jetë vajzën e vogël e cila rritet dhe kujdeset nga prindërit e Fatmirit, Muharrem e Fatime Haklaj, pasi bashkëshortja e të vrarit ishte rikthyer pranë familjes së saj.