Rritet euro, shtrenjtohen kreditë
Leku po kalon një kohë të keqe teksa ka humbur terren kundrejt të gjitha valutave të huaja e kryesisht ndaj euros
TIRANË- Ditë te vështira për monedhën vendase, lekun. Fundi i sezonit të pushimeve po shoqërohet me një zhvlerësim të fortë të tijin kundrejt monedhave të tjera dhe kryesisht ndaj euros. Përfundimi i sezonit të verës dhe largimi i emigrantëve, ardhja e të cilëve shoqërohet me futjen e sasive të mëdha të monedhës europiane në treg duket se kanë ndikuar së tepërmi në zhvlerësimin e lekut.
Sipas të dhënave të ofruara nga Banka e Shqipërisë, brenda një jave, monedha jonë ka humbur terren me plot një pikë kundrejt euros, tregues i cili pritet të ndikojë në një serë faktorësh, siç janë rritja e çmimeve të mallrave të importit dhe rritja e kostos së kredive në euro. Gjatë dy ditëve të shkuara një euro këmbehej me 133.6 lekë, shifër kjo që nuk arrihej prej më se pesë vitesh.
Duke filluar që nga mesi i muajit të kaluar, leku është zhvlerësuar në mënyrë të vazhdueshme ndaj euros, duke humbur plot 3.6 pikë kundrejt saj krahasuar me atë periudhë. Po sipas të dhënave të BSH-së, dje një euro ka kushtuar 1.3 lekë më shumë se në fillimin e këtij muaji.
Ekspertët theksojnë se kjo dukuri lidhet me mbylljen e sezonit turistik, largimin e emigrantëve, dhe me uljen e ofertës për këtë monedhë nga bankat, ndërkohë që kërkesa është gjithnjë e në rritje.
Një furnizues i rëndësishëm i tregut me valutë kanë qenë bankat nëpërmjet lëshimit të kredive, por sipas të dhënave, për shkak edhe të shtrëngimt të kritereve nga bankat , kreditimi në valutë gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti ka shënuar ulje.
Dërgesat e emigranteve gjatë gjashtëmujorit të kaluar raportohet të kenë pësuar një rënie me rreth shtatë për qind, ndërsa eksportet në shtatë muajt e parë të vitit ishin 16 për qind më të ulëta.
Ky zhvlerësim i vazhdueshëm i monedhës vendase ndaj valutave të huaja dhe kryesisht ndaj euros, sipas ekspertëve rëndon në mënyrë të drejtpërdrejtë ata individë apo biznese që kanë marrë kredi në monedhën europiane, ndërsa të ardhurat i kanë lekë. Tashmë secili prej tyre do të duhet të shpenzoje më shumë lekë për të shlyer këstet mujore të kredisë ndaj bankave.
Vlerësohet se kredia në euro përbën rreth 70 për qind të totalit të kredive të lëshuara nga bankat për ekonominë shqiptare. Sa i përket individëve, më të ekspozuarit janë ata që kanë blerë shtëpi duke marrë kredi në euro, kjo për shkak të normave më të ulëta të interesit dhe shitjes së tyre në këtë monedhë dhe jo në atë vendase.
Një rrezik tjetër i zhvlerësimit të monedhës vendase është shtrenjtimi i çmimeve të mallrave të importit. Nëse një muaj më parë për një mall që për shembull kushtonte një euro, një tregtar duhet të paguante 130 lekë, tashmë kësaj shumë i duhet t'i shtojë edhe 3.6 lekë të tjera, çka realisht do të kompensohet duke rritur çmimin për konsumatorët.