E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruaja e Klosit në gjykatë, për trashëgiminë e publicistit

TIRANE- Kur kanë kaluar gjashtë muaj nga dita kur analisti i njohur Ardian Klosi u vetëvar në vilën e tij pranë Liqenit Artificial në Tiranë, bashkëshortja e tij, fotografja Jutta Benzenberg-Klosi, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës. Gruaja me origjinë gjermane, por që jetonte në Shqipëri pasi ishte transferuar me të shoqin, kërkon trashëgiminë ligjore të të ndjerit. 

Padia civile ka si objekt "Lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë ligjore për trashëgimlënësin Ardian Klosi". Çështja mban nr. 15759 dhe pritet të shqyrtohet nga gjykatësi Bledar Abdullai. Pasuria e të ndjerit Ardian Klosi pritet të ndahet në tri pjesë, mes bashkëshortes Jutta Benzenberg- Klosi dhe dy vajzave fryt i martesës mes fotografes së njohur dhe analistit. Nuk dihen pasuritë që zotëron Ardian Klosi, por do të sqarohen gjatë zhvillimit të procesit, ku në vendim do të listohen të gjitha pronat dhe pasuritë e të ndjerit dhe do të vendoset për ndarjen e tyre në tri pjesë sipas ligjit.

Analisti, përkthyesi, shkrimtari dhe studiuesi Klosi i dha fund jetës mbrëmjen e 27 prillit të këtij viti, duke u vetëvarur në ambientet e shtëpisë së tij private. Pak minuta para se të ndërmerrte aktin tragjik, Klosi kishte dërguar një mesazh të shoqes të cilës i bënte të ditur arsyet e vetësakrifikimit. Publicisti kishte tentuar edhe dy herë të tjera për tu vetëvrarë, njëherë duke prerë damarët dhe herë tjetër duke konsumuar ilaçe. Por të dyja tentativat e mëparshme kishin dështuar.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›