E Diel, 1 Nëntor 2026

Gruaja e oficerit të ShISh-it: Im shoq nuk kishte asnjë shenjë depresioni

Arta Çopa, bashkëshortja e oficerit të djegur në Durrës, thyen heshtjen, duke përjashtuar dyshimet për një vetëvrasje nga depresioni. “Deri në momentet e fundit është sjellë normalisht dhe ka qenë në humor të mirë”. Mbrëmjen e së dielës, Isa Çopa ka parë “Portokallinë” me familjen e në mëngjes nuk ka shfaqur asnjë shqetësim

Nga Durrësi

Habjon Hasani

Durrës Hijet e misterit mbi vdekjen e oficerit të ShISh-it, Isa Çopa, rëndojnë mortin në shtëpinë e tij. Bashkëshortja, vëllezërit e të afërmit e tjerë presin e përcjellin dhjetëra miq e të njohur, pa mundur t’u japin përgjigje dyshimeve të tyre. E rezervuar në komunikimet me median e në pritje të hetimeve të policisë, Arta Çopa, bashkëshortja e oficerit të djegur, pranon megjithatë të sqarojë një pikë të diskutuar gjatë së martës: atë të vetëvrasjes për shkak të depresionit. “ Unë kam diçka për të thënë për momentin. Lidhet me ato çka janë shkruar e folur për gjoja një vetëvrasje për shkak të depresionit. Me përgjegjësinë e një bashkëshorteje, që në çdo moment ka qenë pranë tij, por duke u mbështetur dhe në intuitën time femërore, dua të qartësoj gjithkënd se Isai nuk ka patur as shenjën më të vogël të depresionit. Përkundrazi, deri në momentet e fundit është sjellë mëse normal dhe ka qenë në humor të mirë”, - thotë e shoqja për MAPO-n, duke shtuar më pas se, për momentin, kaq është e nevojshme të bëhet e qartë prej saj. Pyetjeve mbi rrethanat e ngjarjes, dyshimet e saj apo ndonjë koment lidhur me detyrën e të shoqit, Arta Çopa u është përgjigjur prerë: “jam në pritje të punës dhe rezultateve të organeve kompetente shtetërore, që po merren me rrethanat e vdekjes së bashkëshortit tim”. Ajo më tej ka shtuar se nga pozicioni dhe momenti ku ndodhej, i takon të heshtë publikisht, në respekt të punës hetimore të institucioneve që po hetojnë çështjen, pasi ende nuk ka një konkluzion të hetimit. “Do të respektoj të gjitha etapat dhe punën e institucioneve hetimore. Atë çka mendoja se vlente të thuhej dhe që lidhej me pretendimet se Isai kishte depresion, ua thashë dhe e ripërsëris me forcë dhe me përgjegjësi se ai nuk ka patur asnjë shqetësim psikologjik të kësaj natyre. Këtë e them dhe e ripërsëris, sepse kjo është një gjë që unë e di më mirë se çdokush tjetër. Për çështjet e tjera, për të cilat media është në të drejtën e saj të interesohet, mund t’u them se unë do pres ezaurimin e të gjitha etapave, pasi nuk mund të flas ndërsa janë duke u zhvilluar hetime”, - ka shtuar Arta Çopa. Në shtëpinë e 49-vjeçarit na përshkruajnë dy ditët e fundit të jetës së Isa Çopës, ku ai jo vetëm që nuk kishte shfaqur shqetësime apo probleme, por ka qenë mëse i qetë dhe me humor. Familjarët përmendin mbrëmjen e së dielës, të cilën Isai e kishte kaluar në shtëpi me të shoqen dhe djalin 16-vjeçar, duke parë “Portokallinë”, qeshur me batutat e shkëmbyer humor me njëri-tjetrin. Mëngjesi i së hënës ka qenë po kaq normal mes bashkëshortëve, ku oficeri i ShISh-it është përgatitur për në punë, ka përcjellë të shoqen në shkollën ku jepte mësim e janë ndarë si çdo ditë tjetër. Ndaj edhe Arta Çopa, me vendosmërinë e njeriut të afërt, thotë e bindur se i shoqi nuk vuante nga depresioni, duke lënë të nënkuptuar faktin se vetëvrasja nuk është një version në shtëpinë e saj. Nga ana tjetër, familjarët, por edhe ata që e njihnin mirë 49-vjeçarin, tregojnë se përtej diskrecionit të punës që kryente, ai ishte një njeri mjaft i qetë dhe nuk kishte konflikte me askënd. Familjarët janë shqetësuar të parët, mbrëmjen e së hënës, pas mesazhit në formë amaneti, të mbërritur në telefonin e djalit të Isa Çopës. Shqetësimi i tyre i është përcjellë policisë, e cila pak orë më vonë mundi të gjejë makinën me trupin e karbonizuar të oficerit të ShISh-it në afërsi të Currilave në Durrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›