E Diel, 1 Nëntor 2026

Misteri i vdekjes, kontroll në kasafortën e Çopës në ShISh

Kolegët e Isa Çopës përfshihen në hetim, pas dyshimeve për zhdukje dokumentesh, por edhe të pistës së një vrasjeje të mundshme. Verifikohet kasaforta dhe skrivania, por nuk mungon asnjë dosje. Hetim edhe detyrave të mëparshme të viktimës në antiterror dhe antidrogë

Nga Durrësi

Habjon Hasani

Rreth 48 orë pas vdekjes misterioze të oficerit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Isa Çopa, një hetim paralel është zhvilluar në ambientet e këtij institucioni. Rikthimi i 49-vjeçarit në zyrë, pasditen e së hënës dhe qëndrimi për 20 minuta aty, ka sjellë dyshimet e para mbi marrjen e dokumenteve nga Çopa, pak para se të gjendej i shkrumbuar në makinën e tij. Burime të MAPO-s kanë bërë të ditur se dje janë verifikuar dhe krahasuar dosjet dhe dokumentacioni që ka mbajtur viktima në zyrë dhe është vërtetuar se Isa Çopa nuk ka marrë dokumente me vete, pasi ka dalë nga zyra e ShISh-it të Durrësit. Verifikimet janë kryer përmes kamerave, regjistrave, por edhe dëshmisë së rojes së institucionit, të cilat kanë përjashtuar dyshimet mbi zhdukjen e dokumenteve. I njëjti proces është kryer edhe në kasafortën e kryetarit të vdekur të degës së kundërzbulimit, ku nuk mungonte asnjë material. Në dëshminë e tij, roja ka pohuar se Isa Çopa kthehej shpesh në zyrë pasditeve, për shkak të natyrës së punës, ndaj edhe rikthimi i së hënës nuk përbënte përjashtim.

Pista e detyrës

Megjithatë, vdekja e tij misterioze nuk ka sesi t’i përjashtojë hetimet nga detyrat që ai ka mbajtur në shërbimin inteligjent. E ndërsa oficerët e policisë janë në pritje të ekzaminimeve dhe rezultateve përfundimtare nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, te të cilat shpresohet të marrë fund dilema e vrasjes apo vetëvrasjes së 49-vjeçarit, kolegët e Çopës në ShISh janë fokusuar te dosjet që ai ka ndjekur jo vetëm në detyrën aktuale, por edhe ato të mëparshmet. Hetimet mbi motivet e një vrasjeje të mundshme duket se janë objekt i punës së Shërbimit Informativ Shtetëror, ndërsa ky fakt konfirmohet dhe nga zyrtarë të policisë së Durrësit. “Ne nga ana jonë po presim të kryejmë të gjitha veprimet dhe krahasimet kriminalistike për ngjarjen, si pjesë e procesit të zbardhjes së saj. Pista e një vrasjeje për shkak të detyrës është ndër kryesoret, por edhe ndër më të vështirat. Kjo, për shkak të cilësive të viktimës si drejtues i kundërzbulimit në ShISh-in e Durrësit. Në këtë rrafsh hetimesh, policia ka pak akses, pasi me ligj ne e kemi të ndaluar të marrim informacione në lidhje me natyrën apo detaje të punës së viktimës. Ndaj për këtë pistë është duke hetuar vetë Shërbimi Informativ”, - bëjnë me dije burime të MAPO-s. Nga ana tjetër, hetimet në lidhje me vrasjen për shkak të detyrës janë kanalizuar në tre drejtime, të cilat përbëjnë edhe profilin 11-vjeçar si oficer të ShISh-it, të Isa Çopës. Përpara se të merrte kreun e zyrës së kundërzbulimit për Durrësin, Çopa ka punuar në degën e antiterrorit si dhe në atë të antidrogës. Puna e bërë prej tij në të tria këto detyra është marrë në “sitë” tashmë nga kolegët e tij të ShISh-it, në përpjekje për të gjetur dhe zbuluar se “kujt dhe kur” mund t’i ketë shkelur në kallo aktiviteti si oficer i ShISh-it.

Ora e vdekjes

Për ekspertët e policisë, përcaktimi i orës së saktë të vdekjes do të sqaronte shumë dyshime lidhur me argumentet pro dhe kundër vetëvrasjes. Pista e një vetëvrasjeje të mundshme mbështetet nga itinerari i Isa Çopës, marrjes së një bidoni bosh në shtëpinë e mbesës dhe koha kur mesazhi ka mbërritur në telefonin e të birit. Përsa kohë nuk është i qartë shkaku i vdekjes së oficerit të ShISh-it, të gjitha këto elemente mund të marrin interpretime të ndryshme nga hetuesit e policisë. Nga ana tjetër, ekspertët e Mjekësisë Ligjore kanë kërkuar më shumë kohë për të realizuar testin e asfiksisë, e në pritje të përgjigjes, grupi hetimor pritet të administrojë si provë tabulatet telefonike të Isa Çopës, një tjetër provë e rëndësishme kjo për zbardhjen e vdekjes së mistershme të oficerit të ShISh-it.

Hetimi, në dorë të “orës së vdekjes”

Ekspertët e policisë janë në pritje të ekspertizës finale të Mjekësisë Ligjore, ku do të përcaktohet edhe ora e saktë e vdekjes së Isa Çopës

Hetues të policisë së Durrësit kanë dhënë dje detaje lidhur me etapat e pritshme të hetimit të tyre, në përpjekjen për të zbardhur vdekjen e Isa Çopës. “Ne po presim konkluzionin final të autopsisë, sidomos pjesën ku do të përcaktohet përfundimi i ekspertëve në lidhje me orën e vdekjes. Këtë konkluzion duam ta krahasojmë me momentin e dërgimit të mesazhit telefonik nga telefoni i viktimës për te telefoni i të birit. Nëse mesazhi rezulton i dërguar pas orës së vdekjes, atëherë nuk ka dyshim që kemi të bëjmë me një vrasje dhe mesazhin e ka nisur nga telefoni vrasësi”, është shprehur një ekspert i policisë. Një tjetër provë që shërben si referencë e rëndësishme në përpjekjen për të vërtetuar prezencën e një “dore vrasëse” është dëshmia e rojës së një reparti ushtarak, i cili ndodhej pranë vendit të ngjarjes. Roja i repartit është shprehur se rreth orës 19:10 ka dëgjuar një shpërthim, për të cilin hetuesit dyshojnë se është shpërthimi i sarbatorit të automjetit. Normalisht, vënia e flakës ndaj një automjeti kërkon 15-20 minuta kohë, deri sa flakët dhe temperatura të krijojë kushtet për shpërthimin e sarbatorit. Pra nëpërmjet kësaj të dhëne, hetuesit mund t’i referohen faktit se flaka ka nisur të përfshijë automjetin diku rreth orës 18:50. Të gjitha këto të dhëna më pas do krahasohen me njëra-tjetrën, ndërsa një indicie dhe provë për zbardhjen e shkakut të vdekjes është konfirmimi paraprak nga ana e Institutit të Mjekësisë Ligjore se në kafkën e viktimës, në pjesën e pasme të saj, është konstatuar një plagë, e cila, sipas ekspertëve, për nga thellësia, ënjtja dhe forma sugjeron se ndaj kafkës është ushtruar dhunë.

Autopsia: Fraktura në kokën e Çopës, asnjë shenjë plumbi

Mjekësia Ligjore ka hedhur poshtë dyshimet se Isa Çopa ka goditur veten me plumb në kokë. Gjenden fraktura dhe dëmtime në pjesën e pasme të kafkës

Fraktura dhe dëmtime të dukshme, por asnjë shenjë plumbi në kokën e oficerit të ShISh-it, Isa Çopa. Ky është përfundimi i ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, të cilët udhëtuan dje drejt Durrësit për të kryer autopsinë e trupit të pajetë, të shkrumbuar brenda makinës. Të pyetur nga MAPO, burime nga Mjekësia Ligjore thanë se mbetet e papërcaktueshme një goditje me plumb në trup, për shkak të djegieve të rënda të viktimës. “Ndërsa në kafkë nuk ka asnjë shenjë të penetrimit të plumbit, por ka fraktura dhe dëmtime të dukshme”, - thanë burime nga Mjekësia Ligjore. Të pyetur për shkakun e këtyre frakturave, ekspertët pohojnë se mundësia më e madhe është përdorimi i dhunës, burimi i së cilës mbetet ende mister. “Nga këqyrja e plagës në kokë, forma dhe thellësia e saj paraprakisht të favorizon si shkak dhunën”, - shtojnë më tej burimet. E ndërsa këqyrja e trupit të shkrumbuar të oficerit të ShISh-it nuk i ka dhënë zgjidhje dilemës mbi një vrasje apo vetëvrasje të tij, një tjetër test pritet me interes nga hetuesit e çështjes. Burime nga grupi hetimor i thanë MAPO-s se sot pritet të realizohet testi i asfiksisë, për të përcaktuar nëse vdekja ka ardhur nga djegiet apo nga shkaqe të tjera. Rezultatet e Mjekësisë Ligjore pritet të jenë përcaktuese për zbardhjen e vdekjes së Isa Çopës, shef i degës së kundër-zbulimit në ShISh-in e Durrësit. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ekspertët e policisë i fokusuan hetimet si në pistën e vetëvrasjes, ashtu edhe në atë të vrasjes, ndërsa versioni i saktë i kësaj ngjarjeje pritet të zbardhet në ditët e ardhshme.

Kronologjia

17: 15

Isa Çopa ka lënë zyrën dhe është drejtuar për në shtëpi. Ka shkuar te shtëpia e mbesës, ku i ka kërkuar 1 bidon bosh.

17: 20

Oficeri i ShISh-it është rikthyer në zyrën e tij, ku sipas dëshmive ka qëndruar rreth 20 minuta. Dyshohet se ai ka marrë me vete dokumente.

17: 50

Në telefonin e djalit 16-vjeçar të Çopës ka mbërritur mesazhi shqetësues. Ai e ka marrë mbrapsht babanë, por ai ka fikur telefonin.

19:10

Sipas dëshmisë së rojes së repartit ushtarak pranë plazhit të Gjermanit, është dëgjuar një shpërthim. Mendohet se ka qenë sarbatori i makinës.

23.10

Policia ka mundur të lokalizojë vendndodhjen e telefonit të Isa Çopës, përmes antenave të celularit. Pak minuta më vonë u gjend i shkrumbuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›