Rama: Ekonomia në rrokullime, guvernatori në ngjitje
TIRANË “Ekonomia në rrokullimë, guvernatori në ngjitje, shenjë e sigurt e rritjes së rreziqeve që paralajmëroi FMN-ja”. Është ky qëndrimi i kryetarit të PS-së, Edi Rama, i bërë publik dje në rrjetin social “Twitter”. Kryetari i PS-së ka komentuar pikërisht figurën e Ardian Fullanit, duke paralajmëruar se opozita nuk do ta votojë atë për një mandat të dytë. Prej kohësh, kryetari i opozitës ka kërkuar konsensus paraprak për emrin e Guvernatorit të ardhshëm të Bankës së Shqipërisë. Në bazë të Kushtetutës, është Presidenti ai që zgjedh emrin e Guvernatorit, ndërsa mazhoranca ka nxitur prej muajsh mbështetjen për guvernatorin aktual, Ardian Fullani. Në të njëjtën kohë, kryetari i PS-së është shprehur se opozita nuk do të bëhet pengesë për emrat që Presidenti i Republikës do të propozojë për guvernator të Bankës apo kryetar të KLSH-së. Megjithatë, ajo do të ketë rezervat e saj në rast se ky emër do të jetë pikërisht ai i Ardian Fullanit. Plot një muaj më parë, në një konferencë për shtyp kryetari i PS-së, Edi Rama deklaroi se kishte ardhur koha për ndërrimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. “Është koha kushtetuese e ndërrimit të guvernatorit, i cili është kthyer në mashë të Saliut për të çuar përpara politikën e tij shkatërruese për financat e shtetit”, - u shpreh Rama pak kohë më parë.