Gruaja u vetëvra me tre fëmijët, Prokuroria e Shkodrës kërkon 4 vite burg për Erdgys Arrazin

Prokuroria e Shkodrës ka përfunduar hetimet lidhur me vetëvrasjen e shtetases Alma Arrazi e cila u mbyt në ujërat e lumit Buna bashkë më tre fëmijët e saj. Organi i akuzës ka kërkuar 6 vite burg për Erdgys Arrazi për akuzën e shkaktimit të vetëvvrasjes së bashkëshortes së tij Alma Arrazi e cila në majin e vitit të kaluar zgjodhi që të vetëvritet në lumë duke i shkaktuar vdekjen edhe tre fëmijëve të saj me të cilët u hodh.
Prokuroria ka kërkuar që dënimi të ulet në 4 vite sepse Arrazi ka pranuar gjykimin e shkurtuar.
Sipas prokurorisë Erdgys Arrazi ka kryer sjellje që diskretitojnë dinjitetin e Alma Arrazit duke e detyruar atë të vetëvritet dhe të mbysë edhe tre fëmijët e saj.
Lidhur me të miturit është regjistruar nga prokuroria akuza për vrasje për shkak të cilësisë së veçanta të viktimës ndërsa është përjashtuar që të ketë patur persona të tjerë të përfshirë. Për këtë arsye kjo akuzë është pushuar pasi sipas hetimeve ka rezultuar se autor për vrasjen e tre fëmijëve është nëna e tyre që vendosi t’i japë fund jetës bashkë me të vegjlit e saj.
Pas përfundimit të hetimeve nga prokuroria dhe kërkesës për 6 vite burg për Erdgys Arrazin i ulur në 4 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar, pritet që avokatët të paraqesin mbrojtjen e tyre . Pas palës mbrojtëse gjykata e shkallës së parë në Shkodër pritet që të japë edhe vendimin lidhur me këtë ngjarje të rëndë./ vizionplus.tv