Gruevski, 70 % e maqedonasve e duan, 83 % e shqiptarëve kundër

Mbi 60 për qind e qytetarëve kanë besim tek qeveria e re midis VMRO-DPMNE dhe BDI në Maqedoni. Kjo bëhet e ditur sipas anketës së gazetës “Dnevnik” të realizuar nga agjencia për hulumtimin e opinionit “Rejting”.
Sipas anketës, në baza etnike, mbi 67 për qind e maqedonasve i besojnë qeverisë së re, ndërsa tek shqiptarët rreth 40 për qind, por kjo shifër është vlerësuar shumë e lartë, në krahasim me anketat e fundit para zgjedhjeve, kur qeveria Gruevski nuk gëzonte mbështetje.
Për kryeministrin Nikolla Gruevski, mbi 70 për qind e të anketuarëve kanë dhënë mendim pozitiv, ndërsa tek shqiptarët gëzon mosbesim të madh. Sipas anketës, mbi 83 për qind e shqiptarëve shprehen kundër Gruevskit. Zëvendëskryeministrja për eurointegrime Teuta Arifi gëzon mbështetjen e shumicës së qytetarëve, mbi 57 për qind e maqedonasve dhe 75 për qind e shqiptarëve.
Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Besimi ka një mbështetje edhe tek maqedonasit, ku 38 për qind e tyre janë deklaruar pozitivisht për të.