E Diel, 1 Nëntor 2026

Wohlers: Maqedonia duhet ta zgjidhë vetë problemin e emrit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund vetëm të ndihmojnë, por  zgjidhja përfundimtare e problemit rreth emrit i takon Maqedonisë dhe Greqisë.

Ky është pozicioni i SHBA-ve, të cilin, e rikonfirmoi ambasadori i ri amerikan në Maqedoni, Paul Wohlers pas dorëzimit të letrave kredenciale, presidentit të shtetit, Gjorgje Ivanov.

“Pozicioni jonë për emrin nuk ka ndryshuar. Ne e kemi njohur Republikën e Maqedonisë, por e kuptojmë se kjo është një çështje e madhe dhe e mbështesim procesin që po udhëhiqet nga Kombet e Bashkuara. Çdo zgjidhje që do të arrijnë Greqia dhe Maqedonia dhe që do të jetë e pranueshme për të dyja palët, ne do ta mbështesim. Nuk është problem që ne duhet ta zgjidhim, por ju vetë ndërsa ne mund t`ju ofrojmë ndihmën tonë”, deklaroi ambasadori amerikan Wohlers.

Ai dha vlerësime edhe për zhvillimet e tjera aktuale në vend, posaçërisht për procesin e reformave në fusha  të ndjeshme.

“Sundimi i ligjit, pavarësia e gjykatave, pavarësia e mediave që janë faktorë të rëndësishëm në të gjitha demokracitë dhe Maqedonia duhet t`i mbyllë këto çështje si të gjitha shtetet e tjera. Në rastin tuaj këto me siguri se janë kërkesa edhe për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian”, u shpreh ambasadori Wohlers.

Paul Wohlers në detyrën e ambasadorit të SHBA-së në Maqedoni, zëvendëson zotin Filip Riker, që tani ushtron funksionin e zëvendësndihmësit të sekretarit amerikan i shtetit për Evropë dhe Euroazi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›