Gruevski akuza dhe fyerje kundër imazhit të NATO-s

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski në një intervistë të tij ka drejtuar kritika dhe tone nervozizmi ndaj NATO-s, lidhur me mosdhënien e ftesës për anëtarësim në Samitin e Çikagos.
"Maqedonia në mënyrë të padrejtë nuk do të marrë ftesë për pranim në Çikago, e cila edhe sipas të drejtës ndërkombëtare, por edhe sipas parimeve morale dhe arritjeve e meriton për shkak të bllokimit të njohur mirë nga Greqia. Por kjo nuk është problem vetëm i Maqedonisë dhe i Greqisë, por është problem thelbësor edhe i Aleancës nga natyra politike, morale dhe të drejtës ndërkombëtare. Dhe NATO-ja nuk ka përgjigje për këtë", deklaroi kryeministri Gruevski në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve MIA.
Lidhur me përfaqësimin e Maqedonisë në Samit dhe mospjesëmarrjen e tij, Gruevski shtoi se prezenca e krerëve shtetëror nga Shkupi është në nivelin më të lartë se sa duhet.
Ai ka theksuar se NATO udhëheq politikën e standardeve të dyfishta. Gruevski ka theksuar se po të ishte në vendin e presidentit Gjorgje Ivanov nuk do të shkonte në këtë Samit.
"E drejta ndërkombëtare po zbatohet në mënyrë selektive, Maqedonia gjatë kohë është viktimë e standardeve të dyfishta, padrejtësive dhe joparimeve, dhe kur është e qartë se nuk do të marin ftesën për NATO, nuk kam pse të marrë në këtë Samit. Po të isha në vendin e presidentit, unë nuk do të shkoja në Çikago, dhe nuk jam i sigurt se edhe ministri i Punëve të Jashtme duhej të udhëtonte drejt Çikagos, në kushtet e një injorimi të tillë nga NATO", theksoi Gruevski, duke shtuar se prania e Shkupit në këtë Samit është më e lartë se sa normale në kushtet e tilla të padrejtësive.
Sipas tij, NATO në mënyrë krejtësisht joparimore ka shfrytëzuar Maqedoninë kur ka pasur nevojë dhe e ka "keqtrajtuar me vite", duke përmendur shembullin e ndërhyrjes kundër Serbisë në vitin 1999, e deri tek prania në misionet dhe aksionet e forcave aleate.