Gruevski i propozon Samarasit modelin "Thaçi-Daçiq" për zgjidhjen e emrit

Kryeministri i vendit, Nikola Gruevski, i ka nisur një letër homologut të tij grek, me të cilën i bën thirrje për t’u takuar që këtë javë.
Sipas burimeve të gazetës “Dnevnik”, letra është nisur javën e kaluar, dhe me të propozohet një takim tjetër nga ata që janë realizuar në të kaluarën, transmeton zhurnal.
Gruevski citohet t’i ketë shkruar homologut grek se “të dyja shtetet do të përfitonin nga zgjidhja e kontestit, e cila deri në këto çaste rezulton e pamundur për shkak të mospërparimit të nevojshëm të bisedimeve”.
Me sa më sipër, Gruevski kishte propozuar krijimin e ekipeve me në ballë kryeministrat e të dyja vendeve, të cilët do të diskutonin në mënyrë të drejtpërdrejtë për zgjidhjen e kontestit.
Kryeministri i vendit i kishte kërkuar gjithashtu kreut të Qeverisë greke, edhe mbështetjen për fillimin e negociatave aderuese me BE-në, sepse sipas tij, kjo do të kontribuonte për një të ardhme më të ndritur të të dyja shteteve, por dhe të rajonit.
Negociatat për anëtarësim, sipas Gruevskit, do të kishim ndikim edhe në përmirësimin e klimës për mbylljen e suksesshme të problemit të emrit.
Gruevski kishte nënvizuar gjithashtu se bisedimet do të zhvilloheshin në kuadër të mandatit të ambasadorit Metju Nimic. /Indeksonline/