E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrat: Agjencia e Statistikave po jep të dhëna të rrejshme

Ministrat: Agjencia e Statistikave po jep të dhëna të rrejshme
Ministrat e kabinetit qeveritar kanë ‘thumbuar’ Agjencinë e Statistikave të Kosovës, duke e vlerësuar një institucion që jep informata shumë me vonesë dhe ato informata janë shumë tëpasakta Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, ka qenë në pikë të rendit të ditës edhe shqyrtimi i raportit vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për zbatimin e planit, programit dhe shfrytëzimin e mjeteve buxhetore për vitin 2012.

Me këtë rast zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Bujar Bukoshi ka ironizuar me punën e këtij agjencioni, duke thënë se sipas statistikave dalin që gjysma e popullatës ngrënë lakra, gjysma mish të bluar dhe mesatarja del se ngrënë sarme.

“Është një përshtypje ose ka një audium për statistika që thonë se kur doni me i zbukuruar statistikat thuani se 50 % e kosovarëve kanë me ngrënë vetëm lakra, ndërsa 50 % të tjerë vetëm mish të bluar e mesatarja e statistikave del sarma. E bëra këtë me qëllim se unë do të insistoja shumë në shfrytëzimin e metodave të statistikave jo me të dhëna të rrejshme”, ka deklaruar Bukoshi, transmeton RTK.

Kritika nuk ka kursyer edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka thënë se deri më tash informatat të cilat i ka ofruar ky agjencion nuk kanë qenë të kualitative.

“Me seriozitetin më të madh në kuptimin e përformancës dhe vlerave të Agjencisë së Statistikave. Siç e dini ministria që drejtoj është përgjegjëse për marrëveshjet e tregtisë së lirë. Për momentin jemi në përmbyllje të një marrëveshje me Turqinë dhe jemi në fillim të një marrëveshje shumë të rëndësishme për Kosovën, komponentës së Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Mund të ju them se nuk kemi informata azhure dhe kualitative nga Agjencioni i Statistikave të Kosovës”, ka theksuar Kusari-Lila.

Ndërkohë ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka thënë se ky agjencion përveç se ofron informata me një vit vonesë, ofron informata edhe tepër të pasakta.

“Ky agjencion është shumë kyç për Republikën e Kosovës, mirëpo shqetësimi i im është se me një vit vonesë i prezantojnë të dhënat e tyre dhe realisht vonesa e prezantimit të dhënave më shumë neve na krijon probleme se sa na ndihmon. Së dyti janë skajshmërisht të pasaktë në prezantimin e të dhënave dhe arsyeja pse e mora fjalën është se të dhënat që i prezantojnë nuk kanë të bëjnë me vetëm me situatën e brendshme për brenda Republikës së Kosovës, por këto të dhëna janë indikator se si bota e lexon Kosovën”, ka theksuar Hoxhaj.

Pas këtij debati me shumicë votash është miratuar ky raport vjetor.. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›