GruevskiAhmeti pa rezultat, koalicioni në krizë
SHKUP- Liderët e dy partive të koalicionit Nikolla Gruevski i VMRO-DPMNE dhe Ali Ahmeti i BDI nuk kanë arritur asnjë marrëveshje për tejkalimin e krizës qeveritare.
Kryeministri Gruevski nuk është tërhequr nga pozicioni i tij për të miratuar projekt-ligjin për përkujdesje institucionale për ish-pjesëtarët e forcave maqedonase të sigurisë, pjesëmarrës në konfliktin e 2001, duke mos përfshirë në pako edhe zgjidhjen e statusit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Nga ana tjetër, BDI gjithashtu ka mbajtur qëndrimin e saj që projekt-ligji i ri të përfshijë edhe zgjidhjen e statusit të UÇK-së, ose ky projekt ligj të tërhiqet nga procedura parlamentare.
Bisedimet midis Ahmetit dhe Gruevskit që kanë zgjatur për 45 minuta kanë mbetur pa asnjë zgjidhje, ndërsa ata janë dakorduar për vazhdimin e bisedimeve të shtunën ose të dielën.
Në rast se liderët e dy partive nuk arrijnë marrëveshje për tejkalimin e krizës qeveritare, atëherë do të pasojë shpërbërja e Parlamentit dhe organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Burime qeveritare i thanë agjencisë së lajmeve INA se fundjava do të jetë vendimtare lidhur me fatin e koalicionit aktual qeverisës. Tensionet midis partive të koalicionit pasuan pas homazheve të ministrit të mbrojtjes Fatmir Besimi në varrezat e UÇK-së në Sllupan me praninë edhe të pjesëtarëve të ARM-së, ndërsa ky veprim pasoi me kundërpërgjigjen e VMRO-DPMNE, e cila vendosi në rend dite projekt ligjin për zgjidhjen e statusit të ish-pjesëtarëve të forcave maqedonase të sigurisë. (INA)