Zeneli: Qeveria kërkon të shpikë marrëveshje për kufirin detar
Një nga njohësit më të mirë të diplomacisë dhe veçanërisht të çështjeve rajonale, Bashkim Zeneli i lexon deklaratat e fundit për nisjen e negociatave për marrëveshjen detare me Greqinë, si të papërgjegjshme. Ai ka kritikuar qeverinë shqiptare dhe në mënyrë të veçantë dikasterin e Ministrisë së Jashtme për qëndrime jo serioze në lidhje me marrëveshjen detare me shtetin helen.
Kritikat e diplomatit
Gjatë një interviste për Ora News Zeneli e cilëson të vonuar ngritjen në këtë periudhë të grupeve të punës për bisedime, pasi ekipi negociator sipas tij duhet të kishte marrë jetë menjëherë pas rrëzimit të paktit nga Gjykata Kushtetuese, pra 2 vjet më pare. “Mendoj se në këto deklarata të fundit nga Ministria e Jashtme ka pasur një mungesë serioziteti, por do thoja edhe papërgjegjshmëri. Më duket se kanë dashur të thonë diçka dhe kanë krijuar më shumë konfuzion. Së pari do thoja që nuk ka marrëveshje, marrëveshja është nul, marrëveshja është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, por edhe sikur të mos ishte hedhur poshtë nuk është ratifikuar nga pala greke, pra nuk ka marrëveshje. Sa i përket grupit të punës, i duhet bërë transparent publikut”, shprehet ai. Mbi këtë argument, Zeneli thotë se nuk ka vend për deklaratat e fundit për dërgim të kësaj çështje në Gjykatën Ndërkombëtare. “Nuk ka çfarë çohet në Gjykatën e Arbitrazhit, nuk ka marrëveshje. Është si të shkosh në Gjykatën e Tiranës apo të Durrësit dhe të thuash dua të divorcohem me gruan time, e të thotë më sill certifikatën e martesës. Nuk ka martesë. Ç`punë ka gjykata? Nuk ka marrëveshje. Marrëveshja është hedhur poshtë”, vijon Zeneli. Ish-ambasadori i Shqipërisë në Greqi, komenton edhe vizitën e njoftuar për ne muajin shtator te kryediplomatit Edmond Panariti në shtetin Helen. “Vizita do të jetë e mirëpritur edhe nga Shqipëria dhe nga Greqia. Them e mirëpritur se që nga shtatori i 2004 nuk ka pasur vizitë të Ministrit të Jashtëm në Athinë, përjashto rastet e takimeve rajonale. Kjo flet shume, flet për marrëdhënie të ngrira, flet për marrëdhënie të tendosura”, përfundon Zeneli.
Propozimi i AK-së për marrëveshjen detare
Dy ditë më parë Aleanca KuqeZi ka kërkuar nga ana e Ministrisë së Jashtme greke reciprocitet për gjyqtarët që dënojnë shqiptarë, reciprocitet si pronat e çamëve dhe minoritarët, reciprocitet në kufi për gazetarët grek. Greqia gjithherë ka dashur të diktojë dhe të ndërhyjë në punët e Shqipërisë, me synimet e saj, ashtu siç edhe ka bërë me mbajtjen ende të një relikti tragjik të konfliktit, atë që quhet ligji i luftës ndaj Shqipërisë. Ashtu sikundër ka lënë të gjallojë ideja e Vorio-Epirit, e financimit të dyshimtë ekonomik në fushatën e censusit, e ndërtimeve të kultit dhe shkollave greke, në vendosjen e varrezave të ushtarëve të rënë, etj. Ndërkaq Çamëria shqiptare është zemërimi dhe trazimi më anti-shqiptarë i Greqisë fqinje e cila nuk ka ndalur persekutimin e saj të dikurshëm dhe genocidin, ndaj tmerrohen nga çdo emër çam, që hyn në kufi. I mohohen të drejtat e popullsisë çame pasi e dinë se këtë gjë më së pari e ka bërë vetë qeveria shqiptare që nuk guxon të ngrejë këtë çështje në nivele prioritetesh diskutimi ndërshtetëror, deklaroi Pasha. Sipas Aleancës, pazari që është duke ndodhur mes Shqipërisë dhe Greqisë, do të marrë fund me largimin e Berishës nga pushteti.
Pashaj jep alarmin: Greqia do vetëm marrëveshjen e 2009-ës
Greqia dhe Shqipëria nuk do të mund të rinegociojnë një marrëveshje te dyte për caktimin e kufijve detare mes dy vendeve, ne kushtet kur pala greke ka bërë të qartë se nuk njeh marrëveshje tjetër përveç asaj të firmosur në vitin 2009. Kjo është deklarata që vjen nga Myslim Pashaj, personi i cili denoncoi i pari marrëveshjen e qeverise shqiptare me atë greke për caktimin e kufijve detare. Ne intervistën për Vizion Plus, duke analizuar situatën e krijuar, Pashaj thekson se çështja do të mbetet peng i palës greke, që e cilëson punë të brendshme të qeverisë shqiptare lapsusin e kthyer nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Pashaj pohon se as ideja e hedhur për arbitrazh ndërkombëtar nuk do ta zgjedhtë çështjen mes dy vendeve. Myslim Pashaj shprehet kritik me qeverinë shqiptare, e cila sipas tij, nuk është treguar transparente për me ngritjen e grupit të punës. Qeveria shqiptare pohon ai , ende nuk e ka kuptuar që Gjykata Kushtetuese i ka shpëtuar vendin territor detar që mund ti ishte dhënë gabimisht palës greke.