Grupe vullnetare kundër zjarreve në Gjirokastër, masa të shtuara për t’i paraprirë situatave

Shërbimi për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimi në Bashkinë Gjirokastër ka marrë një sërë masash për minimizimin e zjarreve në pyje-kullota gjatë stinës së nxehtë të verës, ku ndër to është edhe ngritja e grupeve vullnetare për të parandaluar dhe evidentuar në kohë vatrat e zjarreve.
“Në rastet e zjarreve masive kemi ngritur grupet vullnetare nga drejtoritë mbështetëse të bashkisë, të cilët janë trajnuar nga ana jonë dhe do të jenë të gatshëm në qoftë se do të ketë zjarre masive,” shpjegon shefi i Shërbimit Zjarrfikës në Gjirokastër, Gramoz Llapi.
Gjithashtu, z. Llapi, bën me dije se janë marrë masat e nevojshme edhe për sa i përket pajisjes me mjete.
“Mjetet i kemi të gjitha në gatishmëri të plotë,” thotë shefi i Shërbimit Zjarrfikës.
Në bashkëpunim me strukturat ligjzbatuese do të ketë zero tolerancë për zjarret e qëllimshme në pyje-kullota, ndërsa autorët e tyre do të përballen me ndëshkime të ashpra ligjore.
/rtsh.al/