Grupet kriminale serbe përgatiten për bllokadë totale në veri

Lajmin për përgatitjen e kamionëve për bllokimin e veriut nga ane e grupeve kriminale serb e kanë konfirmuar burime të portalit Lajmeshqip, madje edhe nga selia e KFOR-it në Prishtinë.
Sipas këtyre burimeve, KFOR-i është në dijeni se të ashtuquajturit liderë serbë, ku përfshihen katër kryetarët e komunave ilegal serbe Pantiq, Milloviq, Ristiq dhe Niniq, si dhe i ashtuquajturi kryetar i qarkut inekzistent të Mitrovicës, Nedelkoviq, dhe shefi i MUP-it të Serbisë në veri të Kosovës, Gjorgje Dragoviq, kanë urdhëruar grupet kriminale që të përgatisin kamionët e tyre dhe, në rast të bllokimit të rrugëve alternative nga ana e KFOR-it, të bllokojnë të gjitha rrugët në veri.
Të gjithë kamionë në veri janë bërë gati për të bllokuar rrugët, ka thënë burimi ndërkombëtar.
Burimi më tej ka shtuar se vendimi për mbylljen e rrugëve alternative është marrë nga ana e NATO-s, EULEX-it si dhe Qeverisë së Beogradit, pra do të jetë një bashkëpunim trepalësh për mbylljen e pikëkalimeve ilegale.
“Është turp dhe tradhti nacionale që ministri Ivica Daçiq të urdhërojë bllokimin e rrugëve, të cilat popullata e këtushme i ka përdorur gjatë gjithë dimrit dhe me të vetmen arsye që Serbia të fitojë statusin e kandidatit”, ka thënë Marko Jakshiq në takim e shtabit të krizës.
Po ashtu, edhe të ashtuquajturit këshilltarë komunalë të veriut të Mitrovicës kanë kërkuar nga Daçiqi që xhandarmëria serbe të mos vazhdojë të bllokojë rrugët alternative në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Ata në takimin e tyre vlerësuan se gjendja e sigurisë është gjithnjë e më e komplikuar dhe kërcënon me përleshje të qytetarëve serbë me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, por edhe me shqiptarë.