E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka favorit

Të enjten në Mitrovicë do të zhvillohet derbi lokal mes Trepçës ’89 dhe Trepçës. Të dyja palët thonë se në duele të tilla favorit nuk ka, ndonëse Trepça ’89 sivjet po lufton për titull, derisa Trepça për mbijetesë. Sidoqoftë, të dyja palët synojnë të shënojnë fitore për t’iu ofruar qëllimeve të tyre.

Të enjten në stadiumin ‘Riza Lushta’ në Mitrovicë do të zhvillohet ndeshja derbi mes dy rivalëve të kahershëm të këtij qyteti, Trepçës ’89 dhe Trepçës. Andaj, ky takim pritet të mbledhë numër të madh të shikuesve, e në ndeshje të tilla favorit nuk ka.

Por, fitorja më shumë i nevojitet ekipit vendas, pasi Trepça ’89 është në luftë të rreptë me Prishtinën e Vëllaznimin për t’u stolisur me titull të kampionit. Ekipi i Rafet Prekazit aktualisht gjendet në vendin e tretë të renditjes tabelore me 35 pikë të tubuara, por ka një ndeshje më pak të zhvilluar sesa lideri Prishtina, e cila deri më tani i ka tubuar 41 pikë.

Andaj, trajneri mitrovicas thotë se djelmoshat e tij duhet ta japin maksimumin dhe të triumfojnë përballë Trepçës, për ta vazhduar seriozisht luftën e tyre për vend të parë.

“Në ndeshje derbi, si kjo mes Trepçës ’89 e Trepçës, favorit nuk ka, pavarësisht pozicionimeve të ekipeve në renditjen tabelore. Por, megjithatë, unë konsideroj se ne kemi ekip më të mirë, andaj jam optimist se do të shënojmë fitore përballë Trepçës”, ka deklaruar Prekazi për Express.

Mirëpo, nikoqirët nuk do ta kenë aspak të lehtë ta arrijnë këtë qëllim, pasi fitore do të kërkojë edhe Trepça, për t’iu shmangur sadopak rrezikut për të rënë nga Superliga. Skuadra gjelbër e zi aktualisht gjendet në pjesën e poshtme të renditjes tabelore me vetëm 26 pikë të tubuara.

“Trepçës ’89 i nevojitet fitorja, pasi po lufton për titull. Por, ne kemi ekip më të mirë dhe shkaku i krizës financiare ne sot nuk jemi në mesin e tri pozitave të para të tabelës. Po luajmë shumë mirë dhe me lojë të mirë synojmë të fitojmë pikë edhe në stadiumin ‘Riza Lushta’”, ka deklaruar qendërmbrojtësi i Trepçës, Arben Zhjeqi.

Kjo ndeshje nis në orën 13:15. Njëherësh ky takim përmbyll xhiron e njëzetedytë të garave të Superligës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›