E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi “Besa” në Plavë-Guci

11-08-2013 / Nga Frashër Selimaj

Kujtime në përvjetorin e 30-të të arrestimit të djemve trima e patriotë të Plavë-Gucisë të Grupit “Besa”

Plot 30 vite ma herët, më 1983, u arrestuan aktivistët e lirisë të grupit “BESA” në Plavë-Guci, me antarë: Sadri Gjonbalaj, Fadil Selimaj, Tahir Prelvukaj, Musë Selimaj, Burim Ahmetaj, Naim Selimaj. Këta trima në kohëra të vështira e lidhen besën për t’i dal zot kësaj treve. Ata ishin të  brengosur dhe të vrarë thellë në shpirt për shkeljen e të drejtave e lirive themelore të njeriut që iu bënte pushteti hegjemonist sllavo-komunist jugosllav, sepse KQ me ndihmën e disa jo-kurrizorëve, servilëve dhe shërbëtorëve të pushtetit të asaj kohe morën vendim për ndalimin e simbolit tonë kombëtar: Flamurin Kuqezi, në çdo dasëm. Çdo aheng që bëhej në këtë trevë monitorohej nga veglat e shtetit dhe nuk guxohet t’i këndohej lirisë, nuk guxonte njeri të këndonte figurat tona kombëtare, nuk guxonte njeri të këndonte këngë patriotike, rinia thirreshin në Komisariat, mbaheshin aty dhe maltrajtoheshin nga UDB-ja.
Këta djem, edhe pse në një moshë rinore, të vrarë thellë në shpirt për gjithato që ndodhnin mbi ata dhe bashkëkombasit e tyre lidhen një besë dhe bënë një program pune për të marrë disa veprime liridashëse! 1. Të vendosin Flamurin Kuqezi mbi të gjitha institucionet shtetërore në Plavë dhe Guci. 2. Të bëjnë ekzekutimin e disa spihujve dhe kolaboracionistëve të shtetit serbo-çetnik të asaj kohe, të ndermarrin disa sulme mbi policinë dhe ushtrinë jugosllave. Në momentin e fundit para se të fillojnë aktivitetin e tyre zbulohen dhe arrestohen. U vendosën në bodrumin e komandës policore në Plavë, pikërisht ku është sot xhamia Sulltania.
Isha vetëm 12 vjeçar. Babën e kisha te sëmurë! M’i dha do pare dhe më tha: “Ju ço babo bukë të gjithëve sa janë…”. Ne nuk e dinim ende se sa veta janë arrestuar. Shkova në furrë e bleva tri bukë, mora disa qebapa dhe ua dërgova. Doli një polic shqiptar. E njihja. Nuk foli shqip me mua, veç më tha: Leje atë bukë aty. S’ke pasë nevojë me jau pru se ju jepim ne ça lypin ata. U ktheva në shpi dhe i tregova babës. Eh, - më tha - medet po dojshin me naj çartë djemtë!
Disa pseudopatriota të sodit, që tashti flasin shumë, ziheshim e thejshin kambët duke i bajtë stafeten Titos kishin në supe flamurin 3 ngjyrësh ”trobojkën”. Disa të tjerë bënin mbledhje fshat për fshat dhe e dënojshin këtë rast haptas dhe na shikoshin me injorancë të madhe duke na thanë haptas: “Ju jeni irredentista. Keni dasht’ me na prish Bashkim-Vllaznimin”! Disa rrumpalla të tjera, për t’ju hi në qejf pushtetit jugosllav folnin fjalë fyese kafeneve. Disa servilë të shtetit që kishin lidhje farefisnore me këta djelmosha nga friga se po ju zvoglohen gradat garonin me çertifikata familjare para anëtarëve të komitetit për ta dëshmuar se nuk kanë lidhje të gjakut me ta. Gjatë gjithë kësaj kohe këta trima ishin në hetuesi në burgun e Bjello Poljes duke u ballafaquar me tortura të papara edhe pse katër nga këta ishin të moshës së mitur. Pas dy muajve hetuesi i denuen që të gjithë nga 2,5 vite deri në 5 vite burg. Më kujtohet shumë mirë që as njerëzit me të afërm nuk na shkelnin pragun e derës madje as për Ditë të Bajramit!
Sikur të shkruaja shumë gjatë nuk mund t’i përshkruaj atë kohë me ato figura negative, po më mbetet të them: Shyqyr që e vërteta del në dritë dhe jemi krenar me veprën e tyre dhe ata janë të gjallë dhe ballëlart para faqezive të kohës dhe kohërave.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›