E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekipi i Ramës, nëpër botë që të zgjidhë hallet e popujve

12-08-2013 / Gazeta 55

As Rama dhe as të përzgjedhurit si “ministra të rinj në ardhje” s’po i begenisin trojet shqiptare. Ata e quajnë të mbyllur llogarinë me zgjedhësit, qëkur mohuan premtimet paraelektorale dhe miratuan një projekt qeverisës që synon instalimin e një junte administrative militante, prandaj edhe janë shpërndarë nëpër resorte luksoze, në kërkim të popujve me përvojë në zgjidhje hallesh 

Qeveria e Kryeministri i zgjedhur Edi Rama ka marrë pushimet e para edhe pse nuk ka filluar punë. Edi Rama pas kthimit nga Turqia dhe ndalesës në Athinë me Kryeministrin Samaras, është nisur sërish jashtë shtetit me pushime për disa ditë me bashkëshorten e tij, Linda Rama, po ashtu të gjithë ministrat janë nisur me pushime me familjet e tyre. Agjencia turistike që mbulon zyrtarisht biletat  e zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste konfirmoi nisjen jashtë shtetit të emëruarve ministra nga Edi Rama. Edhe sistemi i kontrollit “Tims” në kufi e konfirmon se kryeministri i shtatorit Edi Rama dhe ministrat e tij nuk kanë preferuar as bregdetin e Adriatikut e as të Jonit, por as verimin në malet shqiptare.
Përkundër miliarderit amerikan David Bonderman, një nga 100 njerëzit më të pasur në Amerikë, që ankoroi jahtit e tij në gjirin e Sarandës apo vajzës së presidentit Klinton, Celsi Klinton që bashkë me bashkëshortin e saj vizitojnë Butrintin, ministrat e Edi Ramës kanë preferuar ti shpenzojnë milionat e tyre jashtë vendit. Ndoshta në plazhet që i njeh mirë Edi Rama dhe partnerët e tij. Herën e fundit që Edi Rama është fotografuar në plazh ka qenë në plazhin nudist në Normandi të Francës. Padyshim, në kohë krize ofiqarët e rinj i japin një shuplakë varfërisë apo 1 milion të papunëve që presin punë nga Edi Rama. Një pjese prej tyre i mban me shpresën e dërgimit të CV-ve, ndërsa atyre pa shkolla të lartë iu premtuar punë në administratën lokale.   
Megjithatë data për t’u kthyer në Tiranë sipas burimeve nga selia e PS, është fiksuar 20 gushti, ditë nga ku do të startojë prezantimi përpara Ramës të reformave dhe spastrimeve që do të bëjnë bë ministrit.  Pasi të marrin strukturën e ministrisë, ata do të paraqesin emrat konkretë të punonjësve, por dhe prioritetet që çdo ministri do të ketë, veçanërisht për 100 ditët e para. Halli i parë i Edi Ramës do të jetë vendosja e ministrive, një pjesë e të cilave rikompozohet, ndërsa të tjera do të kërkojnë godina të reja.
Përtej kësaj, çdo ministër do të dorëzojë propozimet e tij për dikasterin që do të drejtojë, duke u bazuar në strukturën e re, gjendjen në të cilën ajo ndodhet dhe të gjitha këto do të përputhen me programin e 300 ditëve të para të qeverisjes së majtë që akoma nuk iu është dorëzuar Edi Ramës dhe Ilir Metës, dhe pritet që Kryeministri i zgjedhur ta bëjë publik para mbledhjes së Kuvendit në seancën e tij të parë.
Mirëpo një muaj e gjysmë pas fitores në zgjedhjet e 23 qershorit, koalicioni i majtë i Edi Ramës është pa program qeverisës dhe premtimet e bujshme për legalizimeve falas, shëndetësi falas për të gjithë, ulja taksash për 95 % të shqiptarëve, hapjen e 300 mijë vendeve të punës, taksë progresive etj nuk do të ketë fatin të realizohen.
Sido që të jetë, një gjë është e sigurt: Edi Rama dhe ministrat e tij nuk e duan këtë vend sa të bëjnë pushimet në plazhet shqiptare. Ata preferojnë të mos merren me shqiptarët që i shikojnë si budallenj, që iu japin votën dhe shpresojnë tek ta. Fakti që nuk kanë prezantuar një program, një vendim të parë të qeverisë, një ide morale sinjalizon mos marrjen seriozisht të qeverisjes. Edi Rama do t’u tregojë shqiptarëve çudira në pushtet, ndërsa këto ditë po u tregon plazheve që i ka qejf xhevahiret e tij dhe të ministrave të rinj.    
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›