E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ, 59 partive: Ktheni 18. 000. 000 lekë, PD dhe PS duhet të kthejnë numrin më të madh të fondeve

11-08-2013 / Gazeta 55

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën thirrje partive politike të kthejnë në buxhetin e saj, 17.898.689 lekë. KQZ miratoi dy ditë më parë projektvendimin që detyron ato parti politike që nuk kapën pragun prej 0.5 për qind të votave në rang kombëtar, të kthejnë fondet e përfituara para fushatës zgjedhore. Sipas të dhënave të KQZ-së, PD-ja është partia që ka për të kthyer edhe numrin më të madh të fondeve me rreth 8.461.327 lekë, ndërsa PS-ja duhet të kthejë 8.461.327 lekë. Ndërkaq, LSI-ja duket se është partia më e favorizuar për faktin se ky subjekt zgjedhor nuk përmendet në listën e KQZ-së. Rezultatet pozitive që ky subjekt zgjedhor arriti të merrte në zgjedhjet e 23 qershorit, bën që të mos dorëzojë fonde të marra më parë. Sipas KQZ-së, fondet e përfituara pjesëtohen me numrin e votave të marra nga çdo parti në zgjedhje. Fondi prej 65 milionë lekësh, i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit, pjesëtohet me votat e vlefshme të grumbulluara nga këto parti në zgjedhjet e datës 23 qershor 2013, herësi i dalë shumëzohet me votat e vlefshme për secilën parti. Shifra e dalë përcakton shumën që përfiton kjo parti për zgjedhjet 2013. Nga kjo shumë zbritet fondi i dhënë paradhënie sipas përcaktimeve në nenit 87/3 të Kodit Zgjedhor, gjithashtu në zbatim të pikës katër të këtij neni, për tri parti politike do të zbriten sanksionet administrative që janë bërë titull ekzekutiv, të vëna për partinë përkatëse në zbatim të Kodit Zgjedhor.
Më 1 shtator, zgjedhje të pjesshme lokale në komunat Dardhas dhe Rrethinat/Gjithashtu Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e ditës së djeshme miratoi me katër vota “pro” projektvendimin “Për regjistrimin si subjekt zgjedhor të Partisë “Partia Kristian-Demokrate”, “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Komunës Dardhas, Qarku Korçë dhe Komunës Rrethinat, Qarku Shkodër, të datës 1.9.2013”. KQZ miratoi edhe modelet e dokumenteve që do të përdoren nga grupi i numërimit dhe Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor për nxjerrjen e rezultateve të zgjedhjeve të pjesshme për Kryetar të Komunës Dardhas, Qarku Korçë dhe komunës Rrethinat, Qarku Shkodër si dhe projektvendimin “Për lirimin dhe emërimin e disa anëtarëve të KZAZ-së nr. 73, për zgjedhjet e pjesshme të 1 shtatorit. Ndërkaq, më 1 shtator pritet të mbahen zgjedhje në dy komuna të vendit, në Dardhas të Korçës dhe Rrethina të Shkodrës. Zgjedhjet në këto dy komuna do të mbahen referuar një vendimi të Gjykatës Kushtetues dhe ato i përkasin mandatit të fituar në 2011-ën, dhe jo si pasojë e procesit elektoral të 23 qershorit të kaluar. Këshilli i Ministrave, me vendimin nr. 159, datë 27.2.2013, ka vendosur shkarkimin e kryetarit të Komunës Dardhas, Pogradec, me motivacionin “për shkak të kryerjes së veprës penale”. Aleksandër Çela, kryetar i Komunës Dardhas në Pogradec, në datën 1.4.2013, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ndërkohë që Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës së tij.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›